E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëri dhe sëmundje, të jetosh mes gjarpërinjëve

 Gjendja e familjes Gjoka në Kurbin është e mjerueshme. Që prej 13 vjetësh kur kjo familje është shpërngulur nga një fshat i Mirditës për të ardhur në Adriatikë të Kurbinit, jeton në këto kushte të mjerueshme; me shtëpi gati të shembur, janë të papunë dhe nuk marrin asnjë asistencë ekonomike nga pushteti vendor. Kryefamiljari Anton Gjoka vuanë prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, ndërsa për shkak të lagështirës fëmijët janë me bronkopneumoni. Babai i 3 fëmijëve është duke sajuar dërrasa për të mbajtur në këmbë këtë barake dhe apelon për ndihmë.
Bashkëshortja, Liljana Gjoka thotë se në shtëpi hynë i gjithë shiu ndërsa dimri është kërcënues për ta. Ajo thotë se përveç minjeve, në shtëpi hyjnë dhe gjarpërinjtë.
Familja Gjoka thotë se i është drejtuar disa herë komunës për të marrë ndihmën ekonomike por deri më tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Fëmijët të cilët kanë edhe moshën për të shkuar në shkollë, nuk kanë mundësi të blejnë libra. Pesë antarët e kësaj familje kërkojnë ndihmën e shtetit sepse shëndeti i tyre është në rrezik.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›