Varfëria e tejskajshme çon në vetëvarje babain e 4 fëmijëve
Qyteti i Lushnjes bëhet sërish objekt i kronikave për vetëvrasjet. Një 38 vjeçar nga fshati Rrapëz i komunës Kolonjë, ka vendosur ti japë fund jetës së tij. Babai i katër fëmijëve i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me litar në pemën, që kishte në oborrin e banesës, ku ai jetonte në fshatin Rrapëz. Ai është gjendur i vetëvarur nga familjarët e tij, në agimin e ditës së djeshme.
Sipas burimeve zyrtare, të policisë lushnjare mësohet se shtetasi Fatmir Halili lindur në fshatin Zavalan të Elbasanit, e banues në fshatin Rrapëz të Lushnjës është gjendur i vetëvarur në banesën e tij. Shkaku i vetëvarjes sipas policisë, ka qenë ekonomia e dobët e familjes së tij. Edhe pse Fatmiri kishte disa vjet që jetonte si emigrant i rregullt në Greqi, gjendja e tij familjare nuk kishte ndryshuar, madje së fundmi ishte rënduar së tepërmi. Burimet policore pohuan se pasi kanë marrë në pyetje familjarët është mësuar se një natë më parë, 38 vjeçari Halili kishte qenë tepër i shqetësuar, gjë që ka shqetësuar edhe familjarët, por këta të fundit nuk e kishin menduar se do të ndodhte diçka e tillë. Sipas familjarëve, Fatmiri në mbrëmje kishte shkuar për të fjetur në dhomën e gjumit, por ankthi nuk e linte të qetë. Bashkëshortja e tij e ka ndier vetëm në mëngjes herët mungesën e tij në dhomë dhe teksa ka dalë nga dhoma e gjumit, është ndeshur me trupin e pajetë të bashkëshortit të vetëvarur me litar në fyt. Mes alarmit dhe të qarave, gruaja e tij 35 vjeçarja Evlihaja, ka kërkuar ndihmën e të afërmve. Kanë qenë këta të fundit, ata që e kanë shoqëruar për në spital 38 vjeçarin, por gjithçka ka qenë e kot. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe uniformat blu, të cilat pasi kanë këqyrur kufomën, kanë bërë ekspertizën e vendit. Grupi i ekspertëve, ka deklaruar se kufoma nuk ka pasur asnjë shenjë dhune, ndërsa autopsia po kryhet në morgun e spitalit të Lushnjës. Kanë qenë deklaratat e familjarëve, ato që kanë pohuar edhe gjendjen e vështirë depresive në të cilën ndodhej 38 vjeçari, i cili vetëm ditët e fundit kishte paraqitur stres për shkak të varfërisë që kishte pllakosur në familje. Vetë Fatmiri kishte rreth 19 vjet, që endej si emigrant në Greqi, por pa dokumente dhe së fundi sipas familjarëve, kishte tre muaj në shtetin fqinj i papunë. Duke parë këtë situatë, Fatmiri ka vendosur që përpara një jave të kthehej në shtëpinë e tij në fshat, por mesa duket aty ka gjetur një tjetër makth që e ka pritur.