E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria mban peng shëndetin e 11-vjçares

Mjekët pohojnë se mbi pacienten Ornela Tafaj është realizuar një ndërhyrje e vështirë në mushkëri. Varfëria mund ta rrezikojë atë seriozisht


Pamja e saj është e brishtë dhe nuk mundet ta fshehë trishtimin që ka për të gjitha ato që i kanë ndodhur. Është vetëm 11 vjçe dhe për fat të keq i është dashur të përballet me shumë fatkeqësi në jetë. Në fillim me humbjen e nënës së saj, me varfërinë që i ka pushtuar familjen dhe së fundi me një sëmundje të rëndë që i rrezikoi seriozisht jetën. Është Ornela Tafaj, 11-vjçarja nga Laçi, e cila është e shtruar prej 5-javësh në pavijonin e Pneumologjisë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" për shkak të sëmundjes së rëndë në veshka. Doktoresha Luljeta Mati pohon se mbi mushkëritë e vajzës është realizuar një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale, por, për fat të mirë, kjo ndërhyrje, falë personelit, rezultoi me sukses. Por, problemi i Ornelës nuk mbaron këtu, pasi ajo jeton në varfëri ekstreme, e cila mund të bëhet shkak për përkeqësimin shëndetësor të saj. Drita Tafaj, nusja e xhaxhit të Ornelës, tregon varfërinë që ka pushtuar familjen e vajzës dhe bën apel për ndihmë për ta shpëtuar atë nga varfëria ekstreme.

Sëmundja
Askush nuk e dinte se jeta e Ornelës do të shpëtonte. Në mushkëritë e saj është realizuar një ndërhyrje shumë e vështirë nga kirurgët, pasi i është hequr një sasi e madhe qelbi dhe sëmundja i kishte përparuar shumë. "Në fakt, vajza ka qenë shumë rëndë, pasi infeksioni i kishte përparuar, duke krijuar 3 kg qelb në mushkëri. U desh një punë profesionale nga mjekët që të shpëtonte. Tani pacientja është shumë mirë, por ne na shqetëson varfëria e saj, sepse ajo tashmë duhet të jetojë në kushte më të mira dhe të ushqehet mirë, në të kundërt sëmundja do ta dëmtojë rëndë atë", pohon doktoresha Luli Mati, duke shtuar se sëmundja quhet empiema (qelbëzim i cipave të mushkërisë).
Ndërsa Ornela, ndonëse është ende fëmijë, i di shumë mirë problemet ekonomike të familjes së saj dhe pamundësitë për t'i siguruar një jetesë optimale. Madje, i dridhet zëri tek tregon se familja e saj të vetëm pagesë mujore njeh pensionin e nënës së saj, e cila i ka vdekur në një aksident automobilistik para dy vjetësh. "Mami më ka vdekur para dy vjetësh dhe ne marrim një pagesë mujore prej 7 mijë lekësh të reja në muaj pas vdekjes së saj. Babai përpiqet të punojë me ditë, pasi nuk ka një punë stabël, por këto të ardhura janë krejtësisht të pamjaftueshme për familjen tonë. E di që babi im përpiqet shumë, por për fat të keq edhe ai është i sëmurë dhe është krejt e pamundur për të dalë nga varfëria", - pohon Ornela, duke shtuar se ndihet keq që nuk mund të jetë e barabartë me shoqet e saj dhe trishtohet tek mendon se mund të sëmuret përsëri. Historia e vajzës ka prekur shumë mjekët e Pediatrisë së QSUT-së, të cilët, së bashku me të afërmit e saj, bëjnë apel për të ndihmuar Ornelën, qoftë pushtetin vendor të Laçit, qoftë ndonjë organizatë apo biznes për të ofruar ndihmën e tyre. "Varfëria mund të rikthejë situatën e vështirë shëndetësore të Ornelës. Familja e saj jeton vërtet në kushte të vështira, pasi kunati nuk ka një punë stabël dhe nuk gëzon një shëndet të mirë. Ornela është një vajzë dhe nxënëse e mrekullueshme, meriton të paktën një jetesë normale e jo skamje", pohon Drita Tafaj, nusja e xhaxhit të Ornelës, e cila thekson se janë munduar t'i ndihmojnë, por për fat të keq as vetë nuk kanë ndonjë ekonomi të majme sa t'i nxjerrin nga situata.



Ornela: Mësoj shumë që kur të rritem të shpëtoj nga varfëria

Spitali është bërë shtëpi e dytë e saj prej katër javësh dhe ajo ndihet disi me rehat aty, pasi ka gjetur më shumë kujdes dhe rehati. Ornela pohon se në spital të gjithë i kanë qëndruar te koka dhe dëshirat e saj janë plotësuar më shumë se çdo herë tjetër. "Këtu në spital u bëra më mirë dhe tetat mjeke dhe infermiere i falënderoj shumë që janë kujdesur për mua, duke filluar nga doktoresha Luli, infermieret Xhuli, Lina, Vali dhe Mira. Këto jo vetëm janë kujdesur për mua, por këto ditë nuk më ka munguar asgjë", pohon Ornela, duke shtuar se ka qenë shumë e sëmurë dhe nuk e mendonte se do të bëhej mirë. Por, nga ana tjetër, ajo ndihet keq tek mendon se do të përballet përsëri me kushtet e vështira të jetesës në shtëpinë e saj, pasi bashkë me të do të vuajnë edhe vëllezërit e saj. Por, ajo çka e trishton më shumë është frika se mos do të sëmurët sërish, pasi e di që varfëria do ta rikthejë përsëri sëmundjen. Janë edhe mësimet që ka humbur prej 4 javësh, ata që e mundojnë vajzën, pasi Ornela pohon se ka nota shumë të mira dhe dëshiron që në jetë të bëhet dikush dhe të dalë nga varfëria. "Mësoj shumë, pasi kur të rritem do kem një punë të mirë që të ndihmoj edhe familjen. Varfëria është shumë e rëndë dhe shkak për të gjitha këto probleme që ka familja", - pohon Ornela.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›