Varfëria në kryeqytet, 1740 familje me karton të Kryqit të Kuq

Varfëria dhe gjendja e rëndë ekonomike ka shtyrë që shumë banorë t’i drejtohen Kryqit të Kuq në Prishtinë, duke kërkuar ndihmë për të mbijetuar. Sipas statistikave, janë 1740 familje por numri i nevojtarëve është edhe më i madh dhe ai ndryshon.
Sejdi Berisha, koordinator në Kryqin e Kuq, sqaron se ata që kërkojnë ndihmë duhet të mbushin një formular, me pyetjet sa anëtarë të familjes ka, mosha e tyre, ku banojnë, a marrin ndihmë sociale etj . Pas kësaj, komisioni i Kryqit të Kuq, me të dhënat përkatëse që i ka për familjet, del në terren dhe e sheh për së afërmi gjendjen e tyre.
“Nga gjendja që shihet në familje vendoset që ajo familje të pajiset apo jo me kartelë, me të cilën do të mund të marrë rroba apo pako ushqimore, kur kemi në dispozicion”, tha Berisha.
Ai e pranon se në plotësimin e formularëve ka pasur dallavere.
“Shpeshherë në formularët që i kanë mbushur kanë shkruar se nuk kanë shtëpi, nuk punojnë etj. ndërkaq sipas gjendjes që e kemi parë dhe informacioneve që kanë mbledhur anëtarët tanë, është kuptuar se të dhënat nuk janë të sakta dhe të tillët i kemi larguar menjëherë nga lista ..”, tha ai. Berisha, po ashtu sqaron se verifikimi i gjendjes së familjeve ato ndahen në kategori.
“ Kategoria “A”, është me gjendje të rëndë, “A j”, është familje që ka jetimë, “A m”, është kategoria me gjendje shumë të rëndë ekonomike, që të shumtën e rasteve ka përparësi për marrjen e ndihmave, ndërkaq kategoria “B” është ajo me gjendje më të lehtë”, tha ai.
Pas verifikimit të familjeve komisioni shikon gjendjen nëse një familjeje i takon të marrë ndihmë socialem që mund të jetë diku 70 euro, ashtu që kur ka shumë fëmijë e nuk i punon askush, atëherë ne i mundësojmë të marrë ndihma te ne. Të gjitha kategoritë, çdo muaj, mund të drejtohen në zyret e Kryqit të Kuq, për të marrë rroba të përdorura, që dhurohen nga qytetarët vullnetmirë. Përveç kësaj, ata mund të marrin edhe me pako ushqimore, varësisht nga sasia që është, tha ai. Edhe këto të fundit në të shumtën e rasteve dhurohen nga donatorët, të cilët sipas zyrtarëve të Kryqit të Kuq, nuk janë të shumtë.
Përveç ndihmës së donatorëve, Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Prishtinë, burim të vetmin financiar e ka ndihmën e parë, pasi është i licencuar nga Ministria e Infrastrukturës, ku kjo e fundit i ka dhënë të drejtën t’i aftësojë kandidatët për dhënien e ndihmës së parë, të cilët për këtë paguajnë nga 15 euro. Nga këto mjete të grumbulluara, 70 për qind shkojnë për ndihmë familjeve, ndërkaq 30 për qind mbesin për stafin administrativ të Kryqit të Kuq.