Kryeministri Berisha si Obama, shkon “Përpara”

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha prezantoi sloganin “Ne jemi ndryshimi – përpara!” me të cilin demokratët do të dalin para shqiptarëve dhe do të kërkojnë një mandat të tretë qeverisës më 23 qershor.
Slogani i përzgjedhur duket se është “kopjuar” nga slogani i përdorur nga Barak Obama gjatë fushatës së tij presidenciale.
Pas sloganeve “Yes We Can” dhe “Change”, presidenti i SHBA, publikoi sloganin e ri, “Forward” ose “Përpara!”, me të cilën fitoi në garën përballë republikanit Mitt Romney.
Megjithatë me anë të një sqarimi në rrjetin social të Facebook, kryeministri Berisha pretendoi se e kishte zgjedhur sloganin “Ne jemi ndryshimi – përpara!”, “pasi kishte marrë mendime të shumta dhe ishte konsultuar me studime të opinioneve”, transmeton BW.
Gjatë mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së PD-së, Berisha urdhëroi anëtarësinë e saj që të nisë kontaktet me qytetarët dhe të trokasin derë më derë për votën e 23 qershorit.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Berisha mësohet të jetë shprehur se grupet e punës do të vazhdojnë siç janë aktualisht, ndërkohë që më pas do të krijohen edhe shtabet elektorale.
Duke marrë vetë përsipër drejtimin e fushatës elektorale, Berisha duket se nuk ia ka besuar asnjërit prej drejtuesve të tjerë të PD-së fillimin e fushatës elektorale, e cila do të bazohet tek arritjet e qeverisë.
Kjo fushatë sipas Berishës, do të jetë në shërbim të qytetarëve përballë një PS-je pa aleat dhe që sipas tij bën lutje për bashkim. Ai bëri prezent faktin se projekti i ardhshëm i PD-së është “Shqipëria, vend i zhvilluar”./Indeksonline/