E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Variete" në Metropol, me aktorë e këngëtarë të njohur

TIRANË- "Variete" është shfaqja që vihet në skenën e teatrit Metropol me rastin e festave të fundvitit nga Qendra Kulturore "TIRANA".

Konsiderohet si një rikthim në traditën e kahershme të teatrit së varietesë, i cili sigurisht ka hapësirën e vet në format e ndryshme të performancave. Në të interpretojnë përfaqësues të mirënjohur të teatrit së varietesë si: Skënder Sallaku, Sejfulla Myftari, Vilson Gjocaj por edhe përfaqësues të humorit tonë kombëtar si: Marjana Kondi, Veli Rada, Xhevair Zeneli etj.

Në krah të tyre do të jenë artistë të rinj të sapo dalë nga auditoret e formimit artistik të cilët do të tentojnë të prezantojnë vlerat e tyre në fushën e humorit. Në programin e hartuar do të ketë dy etyte metafora që sjellin atmosferën e festive të fundvitit në kryeqytet, tetë këngë të zgjedhura nga fondi i artë i interpretimit në teatrin e varietesë që do të vijnë nën interpretimin e këngëtarëve Luan Zhegu, Kozma Dushi, Anita Take, Arif Vladi Aleksandër Gjoka, Çlirim Denaj, etj. Programit i bashkëngjitet performanca e artistëve të Cirkut të Tiranës, grimca humori dhe anekdoda, skeçe, dialogë e monologë humoristik të penave të njohura të humorit.

Kjo shfaqje vjen në regji të regjisorit Milto Kutali me skenografi të Beqo Nanaj dhe do të zërë një hapësirë kohore prej dy orësh në sallën Shekspir në Teatrin e Metropolit. Performanca fillon në orën 19:00 më datë 30.12.2011
(el.me/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›