E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosja e policit rrugor, dyshohen dosjet e vjetra dhe problemet personale

TIRANE-Plagosja e rëndë e efektivit të policisë së Qarkullimit, Naim Hyska, po hetohet nga prokuroria e Tiranës. Burime nga prokuroria konfirmojnë faktin se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe ka një sërë pistash në të cilat po hetohet.

Fakti që çështja është regjistruar në prokurorinë kryeqytetase, nxjerr në pah faktin se hetuesit po i mëshojnë fort pistës për shkak të problemeve personale të efektivit të qarkullimit. Edhe pse nuk përjashtohen pistat e tjera, ajo e çështjeve personale mbetet si më e mundshmja për momentin. Burime nga prokuroria u shprehën se çështja mund të kalojë në kompetencë të prokurorisë së Krimeve të Rënda, nëse gjatë hetimeve rezulton që plagosja e Naim Hyskës ka ndodhur për shkak të detyrës si efektiv i policisë. Fillimisht policia tha se dyshimet më të forta për ngjarjen bien mbi një hakmarrje të mundshme të familjarëve të vlonjatit Edmond A.. Ky i fundit ka mbetur i vrarë në vitin 1998-të, kohë në të cilën Naim Hyska drejtonte operacionin për kapjen e një grupi grabitësish. Për këtë shkak në polici janë shoqëruar dhe marrë në pyetje të afërm të personit të ekzekutuar në 1998-ën, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Përgjatë ditës së djeshme janë pyetur dhe 10 persona të tjerë, mes të cilëve dhe të afërm të punonjësit të qarkullimit apo kolegë të tij. Naim Hyska u qëllua në kokë mbrëmjen e së shtunës, teksa po udhëtonte me makinën e tij në zonën e “21 dhjetorit” në Tiranë. Në makinë me Hyskën ndodhej dhe djali i tij 12-vjeçar. Hyska u plagos rëndë dhe vazhdon të jetë në reanimacionin e spitalit ushtarak nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›