Varietetet autoktone të rrushit – Italianët mbështesin fermerët e Pogradecit me pajisje dhe ekspertizë evropiane

Pogradeci po ringjall varietetet autoktone të rrushit si Serina e Bardhë, Muskat Kanell dhe Gëms, falë programit TYPIC-AL, të financuar nga Qeveria Italiane dhe Ministria e Bujqësisë. Projekti synon ruajtjen dhe kultivimin e varieteteve të rralla shqiptare, duke vlerësuar traditën dhe biodiversitetin e zonës. Fermerët e Grabovicës janë organizuar në një shoqëri bujqësore, duke krijuar kushte për prodhim më të mirë dhe përfitime ekonomike.
“Aktualisht jemi 7 fermer dhe e kemi nisur me kaq sepse duam që ta kolaudojmë si proces dhe qëllimi është që të përfshihen të gjithë ato fermer të territorit që merren me vreshtari”, u shpreh prodhuesi i verës, Ersol Caco.
Si pjesë e mbështetjes nga partnerët italianë, në Grabovicë u dorëzuan makineri bujqësore moderne dhe pajisje teknologjike për inkubatorin e Pogradecit.
“Duke qenë bashkë mund të bëjmë dhe të fitojmë projekte shumë të mira nga BE apo dhe nga qeveria”, tha Ilir Xhakolli, Kryetar i Bashkisë Pogradec.
“Produktet tradicionale promovojnë aktivitetin e fermerëve shqiptar, dhe kanë treg të sigurt në tregun vendas. Kur arrin vlerë dhe sasi e mjaftueshme hapet mundësia e eksportit”, tha Paolo Vivani, Përfaqësues i palës italiane.
Kjo nismë konsiderohet si hapi i parë drejt forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes fermerëve të Pogradecit dhe promovimit të produkteve tradicionale në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/