"Varrezat greke" çajnë mazhorancën

Parlamenti shqiptar ka miratuar marrëveshjen për ngritjen e dy varrezave të ushtarëve grekë që u vranë në territorin shqiptar, pikërisht në ditën e festës kombëtare të Greqisë. Më 25 mars, fqinji jugor feston 189-vjetorin e pavarësisë nga Perandoria Otomane dhe pikërisht në këtë datë ka “rastisur” që Kuvendi i Shqipërisë të vendosë në rendin e ditës draftin "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke të viteve 1940- 1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Shqipërisë". Por seanca e djeshme nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi për herë të parë pas mbledhjes së Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit është miratuar një ligj me një shumicë relative. Marrëveshja u miratua me 66 vota pro, 5 kundra dhe 1 abstenim. Deputetët që kanë votuar kundër ishin: Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri, Lefter Koka, Bedri Hoxha dhe Adrian Kollozi, ndërsa ka abstenuar deputeti i PD-së, Lefter Maliqi. Menjëherë sapo ka hyrë për diskutim ky draft është zhvilluar një debat i ashpër, ku dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet kanë kërkuar shtyrjen e miratimit të marrëveshjes, derisa Athina zyrtare të dënojë gjenocidin ndaj popullsisë çame në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, duke iu referuar veprës së ushtrisë greke gjatë Lugës së Dytë Botërore në Shqipëri deklaroi se “të gjitha dokumentet historike tregojnë se ajo ishte një ushtri pushtuese që u soll si e tillë në territorin shqiptar. Autoritetet greke të pushtimit nuk lejuan festimin e ditës së flamurit në qytetet shqiptare, ndërruan monedhën, administratën e qyteteve të pushtuara”. PDU i kërkoi qeverisë shqiptare që të mos heshtë më për çështjen çame dhe për të drejtat e çamëve ortodoksë. Idrizi deklaroi se “ne sot kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria shqiptare që t’i imponojë Greqisë, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, pranim publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij gjenocidi; restaurimin e së drejtës së pronësisë; dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi; mundësi për anëtarët e komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve; ngritje e lapidareve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqjen e memorialeve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame; amendim të ligjeve të vitit 1970- 1980 në ato nene, që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen”. Ndërsa deputeti tjetër, Dashamir Tahiri, tha se “qeveria greke akoma nuk ka njohur gjenocidin biblik ndaj popullsisë së pafajshme çame. Nuk e lejon këtë popullsi të vizitojë trojet ku kanë lindur ata dhe të parët e tyre. Qeveria greke nuk e lejon popullsinë çame të vizitojë varret e përdhosura të të parëve të tyre. Në këtë situatë surreale përkundrejt 300 mijë shqiptarëve çamë, është e patolerueshme për ne, çdo lloj votimi, për çdo çështje greke”. Marrëveshjen në Kuvend e ka mbrojtur vetëm deputeti i PD-së, Tritan Shehu, i cili theksoi se miratimi i saj është shenjë e marrëdhë- “Varrezat greke” çajnë mazhorancën Kuvendi miraton marrëveshjen në ditën e festës kombëtare të Greqisë nieve të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëveshja e firmosur më 9 shkurt të vitit 2009 mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë më datën 5 maj të vitit të kaluar dhe ka qëndruar plot dhjetë muaj në sirtarët e legjislativit. Marrëveshja është miratuar nga qeveria më 22 prill të vitit 2009, pikërisht në ditën kur Parlamenti grek ka miratuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në marrëveshje është rënë dakord që të ndërtohen dy vendprehje, njëri në Këlcyrë me sipërfaqe 10 mijë metra katrorë dhe një në Bularat. Trualli do të ofrohet nga qeveria shqiptare, ndërsa shpenzimet e tjera do të bëhen nga pala greke.
#