E Diel, 1 Nëntor 2026

Varrimi i emigrantes me meningjit, largohen pa mjekim 18 persona

  Masa të rrepta gjatë ceremonisë së Altina Memushajt. Familjarët me maska e doreza. Mjekim për 70 banorët e fshatit
Spitali rajonal: U larguan njerëzit e bashkëshortit, ardhur nga Tirana. Kemi lajmëruar drejtoritë shëndetësore
BERAT- Përcillet në banesën e fundit, nën masa të rrepta sigurie, emigrantja shqiptare, që gjeti vdekjen në një spital të Greqisë e prekur nga sëmundja e meningjitit. Ndonëse ceremonia ishte parashikuar për një ditë më parë, konfirmimi i sëmundjes nga e cila kishte vdekur 25-vjeçarja, Anila Memushaj, emigrante në lagjen Gizi pranë Kipselit në Athinë, ka vënë në alarm familjen, strukturat vendore dhe qendrore dhe gjithë fshatin. Varrimi është bërë dje, nën mbikëqyrjen, jo vetëm të mjekëve, por edhe strukturave policore, madje banorët e fshatit kanë mbërritur edhe me vonesë në ceremoni. Shumë prej personave që duhet t’i nënshtroheshin karantinës ose mjekimit, janë larguar dhe kjo shton frikën e përhapjes së sëmundjes. Ndërkohë 70 banorët e fshatit janë futur në kura mjekimi, që do zgjasin për tri ditë dhe shkolla është pezulluar dy ditë.
Ceremonia, dezinfektohet varri
Mes dhembjes dhe frikës. Kështu ka qenë ceremonia e djeshme në fshatin e vogël me 15 banesa, Kolanjë të komunës Qendër në Çorovodë. Nuk ka qenë një ceremoni e zakonshme, pasi jo vetëm që arkivoli ka qenë i izoluar mirë dhe njerëzit nuk janë lejuar t’i afrohen, por edhe hapësira e varrezës ku do të prehet e reja është dezinfektuar. Për atë janë kujdesur punonjës të posaçëm, të cilët kanë marrë masat e këshilluara nga specialistët e mjekësisë, për të shmangur përhapjen e virusit. Të afërmit kanë pasur frikë të prekin më pas arkivolin, por mjekët kanë siguruar që përdorimi i maskave dhe dorezave është i sigurt. Për këtë janë pajisur me maska, bluza të bardha dhe doreza, nga mjeku Muharrem Nonaj dhe ndihmëset e tij epidemiologe. Gropa, në të cilën është futur arkivoli është spërkatur fillimisht me gëlqere pluhur dhe paralelisht me të është dezinfektuar ambienti përreth. “Kjo është bërë për të qenë të sigurt se nuk do të kemi përhapje të sëmundjes”- thonë burimet nga shëndetësia. Për marrjen e të gjitha masave ka ndihmuar komisariati i policisë, Skrapar, të cilët kanë qenë në gatishmëri për situatën e krijuar. Ndërkohë dje zona ka qenë nën survejimin e ekipit të specialistëve të epidemiologjisë, të dërguar ngaDrejtoria e Shëndetit Parësor Berat.
Kontakti, largohen pa mjekim 18 vetë
Ndonëse të njoftuar me vonesë, disa orë pasi trupi kishte mbërritur dhe sipas zakonit kishin nisur t’i bëheshin nderet e fundit, shumë persona që qëndruan pranë trupit, kanë neglizhuar mjekimin. Mjekët e mbërritur me urgjencë, fill pasi u saktësua se gruaja shtatzënë kishte vdekur nga meningjiti, identifikuan 30 persona, të cilët duhet t’i nënshtroheshin mjekimit. Nga këta, 7 të parët u vunë në karantinë, në pritje për të izoluar edhe të tjerët. Mjekët bënë shpërndarjen e medikamenteve, të cilat, sipas tyre, i përkasin profilaksisë së momentit dhe mbrojtjes së personave nga mundësia e prekjes nga virusi i meningjitit. Sipas drejtorit të spitalit të Çorovodës, për personat e kontaktit, mjekimi në kushtet e shtëpisë po jepet për dy ditë nga mjeku i familjes. “Problem është shfaqur me personat, të cilët kanë marrë pjesë në varrim dhe nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen profilaksisë në spitalin e Çorovodës”,- bën me dije ai.
Mësohet se kanë qenë 18 persona, të afërt të bashkëshortit të Anilës, ardhur nga Tirana, të cilët menjëherë pas përfundimit të varrimit janë larguar pa iu nënshtruar profilaksisë edhe pse kishin kontaktuar drejtpërdrejt me trupin dhe arkivolin. Menjëherë nga ana e drejtorit të spitalit, Hysen Hysenllari janë njoftuar rrethet përkatëse ku banojnë këta persona për marrjen e masave dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të tyre. Paniku është shfaqur dhe në rrethinat dhe qytetin e Çorovodës.
Familjarët: Dinim se vdiq nga problemet e shtatzënisë
Familjarët e 25-vjeçares e kanë mësuar vonë që ajo humbi jetën nga meningjiti. Trupi i saj mbërriti të enjten në mëngjes pranë familjes dhe deri në 13.30 nuk është mbajtur i izoluar. Mësohet se 30 persona, të afërm të familjes kanë qenë në kontakt të plotë me arkivolin ku gjendej trupi pa jetë. Sipas burimeve familjare, kanë qenë shtatë persona, që kanë bërë shoqërimin e trupit që nga Greqia. “Ka qenë bashkëshorti, Hajredin Memushaj, vëllezërit e gruas së re dhe të afërm të tjerë, ata të cilët pasi kanë përfunduar procedurat e zakonshme pranë spitalit Argjiora në Athinë, janë nisur drejt vendlindjes pa mësuar shkaqet e vërteta të vdekjes”,- tregojnë familjarët. Sipas tyre ajo kishte vdekur si pasojë e hemorragjisë gjatë shtatzënisë. Faktin se gruaja e re gjeti vdekjen nga meningjiti ata e kanë mësuar vetëm përmes mjekut. Sipas pohimeve nga spitali i qytetit të Çorovodës ka qenë Minisitria e Shëndetësisë që ka njoftuar izolimin e plotë të arkivolit. Sipas mjekut të spitalit, Nona, sapo lajmi ka mbërritur nga Ministria e Shëndetësisë menjëherë dy infermiere dhe vetë ai kanë shkuar në banesë dhe kanë urdhëruar izolimin e arkivolit dhe ndalimn e plotë të kontaktit me familjarët.
S.G
Problemi
Djali, me të njëjtat simptoma në Greqi
Babai i gruas, Feruzi, 60-vjeç dhe nëna 56-vjeçe kanë qenë të shqetësuar, pasi thuajse me të njëjtat simptoma të sëmundjes, në spitalin e Athinës është shtruar edhe djali i tyre i vogël. “Ai ka qenë pranë motrës gjatë kohës që ajo ka qenë e shtruar në spital”,- thonë familjarët. Ata bëjnë me faj mjekët grekë që nuk arritën të zbulonin në kohë sëmundjen e vajzës së tyre, duke sjellë rrezikun edhe në fshat.
Masat
Mjekim për 70 banorët e fshatit
Sipas mjekut Muharem Nonaj janë marrë masa për mjekimin e 70 banorëve të fshatit dhe për dy ditë u pezullua mësimi në shkollën 9-vjeçare. Ai ka bindur familjarët të marrin mjekimin dhe kanë dezinfektuar gjithë banesën. Nga momenti që kanë filluar mjekimin deri në orët e pas varrimit, sipas tyre kanë marrë mjekimin paraprak 21 persona. “70 banorët do të trajtohen me medikamentet e duhura kundër sëmundjes dhe kura vazhdon për 3 ditë”,- sqaron mjeku. Dy ndihmëset e mjekut, Dhurata Spahiu dhe Dhurata Kumbaro kanë përpiluar listën e parë më emrat e familjarëve dhe të afërmëve të tyre; Feruz Mustaj, babai; Trendelina, nëna e viktimës, si dhe të afërmit e viktimës Dritan, Eduart, Tafil, Jashar, Altin, Besnik, Erjon, Adriatik e Bujar Mustaj. “Në karantinë janë Fatos Hysi, Resmie Hysi dhe Matilda Gërxhani”- thonë ato, duke sqaruar se 18 të tjerë nuk kanë marrë mjekimin duke u larguar.
S.G

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›