Rama: Duhet një bashkim i ri për shqiptarët
Edi Rama shpreh domosdoshmërinë për t’iu larguar kurthit të politikës së vjetër të konflikteve, të telenovelës
Lideri i PS-së ka bërë thirrje për të kapërcyer kufirin që ndan kampet politike në mënyrë artificiale
TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka vijuar dje turin “Dialogu me Shqipërinë” në një takim të zhvilluar me elektoratin në bashkinë e Kamzës, ku ka theksuar faktin se, Partia Socialiste vjen në këto takime për një bashkim të ri me shqiptarët. Duke iu larguar fjalimeve të rëndomta politike që shumë politikanë bëjnë në takimet e tyre elektorale, ku i ndajnë njerëzit në të majtë dhe të djathtë, kreu i PS-së i ka kërkuar të gjithë socialistëve që t’i drejtohen njëri-tjetrit si shqiptari- shqiptarit pa bërë ndarje. Kjo, sipas Ramës, për faktin se kjo ndarje i ka lënë shqiptarët në gjendjen që janë aktualisht dhe nëse shqiptarët vazhdojnë të jetojnë me të këtë ndarje, “socialistët mund të vijnë në pushtet dhe nuk mund të zgjidhin problemin e madh, bashkimin e ri të gjithë shqiptarëve”. “Po vazhduam të jetojmë me këtë ndarje mund të vijmë në pushtet, por nuk mund të zgjidhim problemin e madh, të një bashkimi të ri të gjithë shqiptarëve për të zgjidhur problemet e jetës së përditshme dhe ne nuk jemi as më budallenj, as më të paaftë sesa fqinjët tanë”, -u shpreh Rama. Më tej, kreu i PS-së ka bërë thirrje për t’iu larguar kurthit të politikës së vjetër të konflikteve, të telenovelës, ku çdo ditë, sipas tij, ka një ngjarje të re, por gjithçka është e vjetër. Lideri i socialistëve ka bërë thirrje për të kapërcyer kufirin që ndan kampet politike në mënyrë artificiale dhe që i ka dhënë prej 17 vjetësh qeverisje të dështuara, gënjeshtare, abuzive dhe të korruptuara. Rama theksoi më tej se, politika duhet të afrohet tek njerëzit dhe të dëgjojë problemet e tyre, pasi nuk mund të dilet nga gjendja aktuale nëse nuk kapërcehen kufijtë e vjetër, që ndajnë njerëzit artificialisht në të majtë dhe në të djathtë. “Politika duhet të zgjidhë problemet konkrete reale të qytetarëve. Politika nuk është një shfaqje, e cila jepet përditë në kutinë e televizorit, dhe s’ka të bëjë me njerëzit. Politikanët nuk janë aktorë filmash, të cilët duhet ti shohim vetëm në skenë. Politikanët janë dhe duhet të jenë përfaqësuesit e njerëzve duhet të jetojnë me njerëzit, të përfaqësojnë njerëzit, duhet të zgjidhin problemet e njerëzve”, u shpreh lideri i PS-së. Ndaj, që në fillim të takimit të djeshëm, Edi Rama iu drejtua pjesëmarrësve duke vënë në dukje faktin se, ai nuk vinte tek ta për të dëgjuar politike të jashtme, por për të dëgjuar hallet e tyre, problemet e tyre dhe eksperiencat e tyre personale. “Nëse duam ta ndryshojmë vërtet këtë vend kjo është e mundur vetëm duke bërë një politikë të jetës, një politikë të njerëzve, një politikë të problemeve konkrete. Jo një politikë të politikës, një politikë që jeton jashtë halleve dhe problemeve të njerëzve”,- tha Rama.
“Po vazhduam të jetojmë me këtë ndarje mund të vijmë në pushtet, por nuk mund të zgjidhim problemin e madh, të një bashkimi të ri të gjithë shqiptarëve për të zgjidhur problemet e jetës së përditshme dhe ne nuk jemi as më budallenj, as më të paaftë sesa fqinjët tanë”