Ndryshimi tek ne është kush është i pasuri dhe kush i varfëri
Jo rastësisht, kur flitet për rritje pagash, flitet me përqindje. Thuhet 10 për qind apo 15 për qind. Kjo ndihmon demagogjinë dhe fsheh një të vërtetë të madhe: që rritja e pagave apo pensioneve është e atillë, sa tingëllon qesharake. E çfarë mund të bësh me 10 mijë lekë të vjetra më shumë në muaj, në kushtet e një çmendurie të vërtetë çmimesh?
I keni parë ndonjëherë pensionistët në treg? Është e dhimbshme se si llogarisin qindarkat. Ngjan si metaforë, por është e vërtetë. Unë mirëkuptoj faktin që çdo shoqëri ka të pasur e të varfër, por tek ne problemi është që të varfrit janë populli dhe të pasurit, janë ata që qeverisin. Kjo është normale vetëm në Afrikë.
Si mund të pranoj politikanë që marrin rroga në vit, vetëm 12 vetë, sa 6 mijë pensionistë? E që, përveç kësaj, blejnë makina super të shtrenjta (shikojini oborret e ministrive, kanë vetëm “Benz Mercedes” që është marka më e shtrenjtë e automobilave), vishen me rroba firmato, si aktorë filmash, duan nga katër shtëpi, një në det, një në mal, një në Tiranë e një jashtë Shqipërisë. Këto gjëra, gjetiu, i bëjnë biznesmenët milionerë dhe atyre u takon, por jo politikanët.