Varroset Kim Jong IL. Çdo do ndodhë në të ardhmen?

Pas varrimit të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il, Shtetet e rajonit me interesim po shikojnë se çfarë do të ndodhë me këtë regjim të pallogaritshëm, ku shpesh ato nuk kanë as informacionet e duhura. Për dy ditë u mbajt sekrete vdekja e diktatorit koreanoverior Kim Jong Il. Madje raportohet se lajmi nuk dihej as nga shërbimet sekrete, që dëshmon se sa hermetike dhe të izoluara janë informacionet në Korenë e Veriut. "Të gjitha mundësitë janë të hapura dhe asgjë nuk mund të parashikosh", deklaron Hanns Gunther Hilpert, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Kim Jong Un do të jetë pasardhës. Menjëherë pas vdekjes së babait ai u shpall si një "pasardhës i madh". Të shtunën ai u emërua edhe si komandanti suprem i forcave të sigurisë. Ai ka mbështetjen e familjes, në radhë të parë të tezes së tij Kim Kyong Hui, e cila është anëtarë e byrosë politike, dhe të xhaxhait Jang Song Thaek. Edhe Kina si vendi më i madh fqinj është dakord me udhëheqësinë e re në Korenë e Veriut, mendojnë shkencëtarët. Pavarësisht deklaratave, nuk është sqaruar deri në fund çështja e pushtetit në këtë vend, pasi në radhë të parë Kim Jong Un e pengon mosha e re, sepse një rëndësi e posaçme në Korenë e Veriut i kushtohet pikërisht moshës dhe përvojës. Marrjen e pushtetit e vështirësojnë edhe mosmarrëveshjet e brendshme qeveritare. Ekzistojnë të paktën dy blloqe: njëri i cili kërkon reforma ekonomike dhe tjetri që i kundërshton ato. Ndërkohë që opozitë të mirëfilltë në këtë vend nuk ka. "Ai që kundërshton familjen Kim në Kore nuk mund të mbijetojë", thotë eksperti Hilpert. Vendet fqinje si Koreja e Jugut po shikojnë me shumë kureshjte dhe shqetësim zhvillimet në vendin fqinj. Ajo nuk pret ndonjë përmirësim të shpejtë të raporteve. Eksperti Hilpert esheh Kinën si mbrojtësin kryesore të Koresë së Veriut. Ajo ka frikë nga një valë refugjatësh, në rast destabilizimi të vendit fqinj. Kjo do të mund të destabilizonte dhe disa pjesë të Kinës.