Varroset bashkë me "fajin" minatori
Është përcjellë dje për në banesën e fundit, nga fëmijët, bashkëshortja, prindërit, të afërmit dhe shokët e tij, minatori 47-vjeçar, Ivzi Veseli, që në mesditën e ditës së mërkurë humbi jetën në galeritë e vdekjes së minierës së Bulqizës, rreth 800 metra thellë në tokë. Një ceremoni mortore shumë e rëndë ajo e zhvilluar dje në fshatin Herebel të Komunës Maqellarë, po të kemi parasysh se i ndjeri ishte viktima e dytë nga familja Veseli, që humb jetën nga miniera e Bulqizës. Shumë vite më parë, në këtë minierë humbi jetën në rrethana misterioze edhe i vëllai i Ivziut, Imer Veseli, kur ishte vetëm 37 vjeç. Ai hyri si çdo ditë për të punuar në galeri dhe nuk doli prej andej, as i vdekur, pasi trupi i tij humbi nën gurët e kromit. Por fatkeqësia për familjen Veseli nuk mbaroi këtu, pasi viktima u dyshua nga ish-pushtetarët komunistë të asaj kohe, se mund të ishte arratisur jashtë atdheut, ndërkohë që ai ishte "thithur" nga furnelet e minierës, duke mbetur kështu përjetësisht edhe pa varr. Miniera e Bulqizës, e marrë me koncesion nga firma ruso-austriake "Albanian Chrome", gjatë vitit 2007 pati një numër rekord aksidentesh, ku 13 minatorë humbën jetën, çka bëri që kjo minierë të cilësohet si miniera e vdekjes. Ndërsa për këtë vit, 47-vjeçari Ivzi Veseli është viktima e katërt që humb jetën në aksidente në minierën e Bulqizës, pas tre viktimave të tjera që kanë humbur jetën në stoqet e kromit. Thuajse në të gjitha vdekjet e ndodhura në galeritë e minierës, minatorët kanë fajësuar drejtuesit e minierës, për kushtet jo të mira të punës dhe mungesën e sigurisë. Por në vazhdimësi për të gjitha aksidentet e ndodhura, fajin e kanë marrë me vete viktimat, ku së bashku me ta janë varrosur edhe shkaqet që kanë çuar në humbjen e jetës së tyre. Ende burime nga policia nuk japin asnjë të dhënë për shkakun e ndodhjes së aksidentit të ditës së mërkurë, kur humbi jetën nga shpërthimi i minave në nivelin XVI të pusit nr. 2, minatori Ivzi Veseli. Gjithsesi, aludohet se kemi të bëjmë me një shkelje të rregullave të sigurimit teknik, siç ndodh në çdo rast aksidenti, ku faji "varroset" bashkë me viktimën. Kështu, deri më tani, mësohet se nuk ka asnjë të ndaluar nga policia për këtë aksident të rëndë. Një zjarrmëtar i vjetër dhe ish-përgjegjës sektori në këtë minierë, me inicialet H. S., shprehet për "Shqip", se në këtë rast kemi të bëjmë me një pakujdesi të dyshes së punës, zjarrmëtar-minator. Nuk kemi të bëjmë me plasjen e një kapsolle që mund të ketë ngelur e paplasur dhe është ngacmuar me martel nga viktima, siç dhe shprehen disa media të shkruara, pasi në atë front pune plasjet e minave kanë qenë elektrike. Në këtë rast, aludon ai, mund të dyshohet se kanë plasur të gjitha kapsollat, por i pakuptueshëm mbetet fakti se si këto kapsolla janë lënë në dorë të viktimës. Ndaj këtu kemi të bëjmë me neglizhencë të zjarrmëtarit, përgjegjësit të sektorit, teknikut etj., që nuk kanë ushtruar kontrolle të forta për zbatimin me korrektësi nga minatorët të rregullave të sigurimit teknik në punë. Sidoqoftë, aksidenti i rëndë, ku humbi jetën 47- vjeçari Ivzi Veseli, i zbeh dukshëm pretendimet e drejtuesve aktualë të minierës, për marrjen e masave të duhura prej tyre, për rritjen e kushteve të sigurisë në punë për 660 minatorët e kësaj miniere.