E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vashaxe: Rusia pengon zbatimin e marrëveshjes

Tbilisi - Gjeorgjia akuzoi dje Rusinë se po minonte bisedimet ndërkombëtare të Gjenevës që kanë për qëllim pengimin e konflikteve në rajonet separatiste. Ministri i Jashtëm gjeorgjian, Grigol Vashaxe deklaroi përpara shtypit se Rusia pengonte zbatimin e një marrëveshjeje të arritur gjatë bisedimeve të Gjenevës më 18 shkurt për të krijuar mekanizma për parandalimin e konflikteve.

"Një vendim shumë i rëndësishëm u mor gjatë sesionit të fundit të bisedimeve në Gjenevë, por ky vendim është kundërshtuar nga marionetat ruse" në Abkhazi dhe në Osetinë e Jugut, territore separatiste gjeorgjiane, deklaroi ai.

"Rusia vazhdon të minojë bisedimet e Gjenevës" të organizuara nën drejtimin e Bashkimit Evropian, të OKB-së dhe të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë", vazhdoi shefi i diplomacisë gjeorgjiane. "Vendimet e Gjenevës janë në rrezik. Rusia do të përpiqet t'i dëmtojë ato", vazhdoi ai.

Një hap i parë për sigurinë në Kaukaz u hodh gjatë sesionit të fundit të bisedimeve në Gjenevë ku rusët dhe gjeorgjianët ranë dakord për "mekanizma parandalues të incidenteve".

Tbilisi ishte shkaktari i fillimit ditët e para të gushtit të një ofensive ushtarake për të rimarrë kontrollin e territorit separatist të Osetisë së Jugut, të cilës Moska i është përgjigjur me dërgimin masiv të trupave në Gjeorgji.

Pas kësaj lufte të shkurtër Rusia e njohu pavarësinë e dy rajoneve separatiste gjeorgjiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›