Bojkoti, BE dhe OSBE, Bosch: Opozita po pengon integrimin
Ndërkombëtarët në Tiranë ribënë apelin e radhës për të pasur dialog politik dhe një funksionim të Kuvendit me opozitën brenda saj. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, deklaroi dje se palët politike duhet të ulen për të dialoguar për hir të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Sipas Bosch, të dyja partitë duhet të hedhin hapin për të biseduar me gjuhë të moderuar që opozita të kthehet në Kuvend. I pyetur nga media në lidhje me vijimin e protestave të opozitës, ambasadori i OSBE-së tha se koha është për dialog. “Prandaj i drejtohem secilës palë me fjalët ‘flisni me njëri-tjetrin’. Kompromisi duhet të vijë gjithmonë nga të dyja palët dhe, siç e ka treguar historia anekënd botës, aty ku ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Pra, siç thashë, mendoj se tashmë ka ardhur vërtet momenti që palët të bëjnë një hap drejt njëra-tjetrës”, - tha Bosch. Ai tha më tej se Shqipërisë i duhet një rrugë pa pengese për integrimin evropian. “Nuk e di nëse e lexuat fjalimin që mbajta javën e kaluar - veçanërisht shprehjen “duhen dy vetë për të vallëzuar”. Mund ta përsëris edhe një herë këtu, por para se ta bëj këtë, do të thosha se, që Shqipëria të ecë përpara, është shumë e rëndësishme që ajo të ruajë pavarësinë e institucioneve, që qeveria të mos ushtrojë presion mbi institucionet e pavarura dhe që ligji të bëjë punën e vet, gjatë gjithë kohës, pa pengesa. Kjo është shumë e rëndësishme për të ecur përpara”, - shtoi Bosch. Deklaratat e ambasadorit u bënë në Bashkinë e Kamzës, ku OSBE do të nis një projekt për luftën ndaj korrupsionit. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori holandez, i cili përsëriti nevojën për dialog. “BE do të përgatisë një avi nëse Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit dhe unë do t’ju thosha që kjo avi nuk do të jetë pozitive nëse situata politike vazhdon të jetë në të njëjtat kushte. Dhe një gjë e tillë është shumë e keqe për çdo shqiptar, qoftë demokrat, socialist apo një gjë midis tyre. Si një vend i pjekur, anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, ne presim që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë ngërç, por me sa po shohim, koha po mbaron”, - tha ambasadori i Holandës, Van den Dool.
Ndërkombëtarët në Tiranë kanë shpeshtuar deklaratat kohët e fundit, duke bërë thirrje për dialog politik, duke kërkuar më tej kthimin e opozitës në Kuvend. Ambasadori i Holandës tha më tej se faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë në situatën politike në vend, duke shtuar se BE pret që palët ta zgjidhin vetë situatën. Sipas tij, një vend anëtar i NATO-s duhet të jetë i aftë vetë që të përballojë sfida politike. “Ne presim që ata të dalin së shpejti me një zgjidhje që ta kthejnë edhe një herë këtë demokraci në një demokraci funksionale”, - shtoi ambasadori holandez në Tiranë.