E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja, Kelmendi: Një nga autorët, rreth 50-60 vjeç

Seanca, dëshmitari rrëfen ngjarjen dhe tiparet e autorëve. Ylli Kelmendi u arrestua ditë më parë për “Armëmbajtje pa leje”

I vetmi i akuzuar për ekzekutimin e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes, dhe vrarë 7 vite më parë në pronën e tij në periferi të kryeqytetit, është shfajësuar nga miku më i afërt i viktimës. Ylli Kelmendi, një dëshmitar kyç dhe që është kërkuar me ngulm nga i pandehuri Lavdërim Tufa dhe avokati i tij për të dëshmuar, pohoi dje në sallën e gjyqit se dy personat e maskuar që kryen ekzekutimin kishin qëlluar nga jashtë lokalit “Kartodrom 2000”. Sipas dëshmitarit, i arrestuar disa ditë më parë për “Armëmbajtje pa leje”, dy personat ishin të maskuar dhe të arrestuar kishin qëlluar nga jashtë dhe se personi që qëlloi drejt tavolinës së tyre, kishte moshën rreth 50-60 vjeç, kjo e vërtetuar me faktin se ai, pas ngjarjes, nuk vraponte me të njëjtin ritëm si bashkëpunëtori i tij që qëlloi nga një distancë më e largët. Gjatë seancës, i pandehuri Tufa, i cili ndodhet në qeli prej nëntorit 2003, pyeti Kelmendin nëse ishte ai autor i ngjarjes apo jo. Por, trupi gjykues nuk e lejoi përgjigjen e dëshmitarit me argumentin se pak çaste më parë Kelmendi pohoi se ekzekutorët ishin të maskuar.

Ngjarja

Vrasja e Fatmir Ramës ka ndodhur më 29 mars, rreth orës 19:50, brenda lokalit të tij "Kartodrom 2000", ku ai shikonte ndeshjen Shqipëri-Rusi. Në atë moment, Miri i Xhikes ka qenë në shoqërinë e Ylli Kelmendit, Flamur Rrapajt, Kristaq Camit e Julian Durishtit. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Policia arrestoi më 26 nëntor të 2004-s Lavdërim Tufën nga Lundra. Gjetja e njollave të gjakut në disa vende, rruga që kishin përshkuar tregonte se e njihnin mirë zonën dhe rrugicat për t’u fshehur nga ndjekja prej policisë, zbuluan Lavdërim Tufën. Procesi gjyqësor nxori të papriturat e tjera. ADN-ja e Tufës u bë në Itali e më pas u konfirmua edhe nga specialistët më të mirë anglezë. Por, sërish avokati i Lavdërim Tufës, Ferdinand Ndoja, dhe më pas Basri Mana, patën reagime gjatë procesit, duke kundërshtuar me forcë rezultatin mbi përputhshmërinë. Për gati një vit, gjyqi në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda u shty pasi i pandehuri dhe avokati nuk paraqiteshin. Vendimi pas Shkallës së Parë mbeti në fuqi edhe në Apel. Në shtator të vitit 2006 u dha vendimi në Shkallën e Parë. Disa muaj më vonë u dha në Shkallën e Dytë. Ndërkohë që Lavdërim Tufa, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e shumëpërfolur të Fatmir Ramës, i thirrur ndryshe Miri i Xhikes, kërkon pafajësi. Dhe kjo mundësi për të paraqitur sërish provat iu dha duke kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, e shpallur si kompetente për të gjykuar këtë vrasje të bujshme.

Prova

ADN-ja e njollave të gjakut, të gjetura në kapuçin ngjyrë blu të markës "Diadora" dhe e kryer në Institutin e Policisë Shkencore në Romë, sipas gjykatës, përcakton qartë përputhshmërinë e personave të ekzaminuar. Këtë e pohoi gjykata, kur deklaroi se prova e vetme dhe kryesore për vërtetimin e Lavdërim Tufës si autor i mundshëm i vrasjes është ADN-ja. ADN-ja është bërë më 5 mars 2004. Në Itali, përveç kapuçit me njolla gjaku dhe një qime floku, që ka dalë e papërshtatshme për ekzaminim, janë dërguar edhe kampionet e gjakut të Lavdërim Tufës dhe të shtetasit Shkëlzen Xixi, i dyshuari i parë. ADN-ja përcaktoi se Shkëlzen Xixi nuk ishte i përputhshëm. Ndërsa, pas krahasimit të Lavdërim Tufës doli se përputhshmëria e tij arrinte mbi 90%. Për të bërë krahasimin e njollave të gjakut i është marrë gjak të pandehurit Tufa, me dëshirën e tij. Gjaku i është marrë në datë 27 tetor 2003. Ndërkohë që në datë 5 mars 2004 rezultoi se njollat e gjakut dhe pështyma në kapuç i përkasin Lavdërim Tufës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›