Vasili: Duhani dhe alkooli kanë dalë jashtë mode
Fushata sensibilizuese tremujore me moto: “ Për një rini të shëndetshme pa duhan dhe alkool”, është finalizuar dje me një takim kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Pjesë e këtij aktiviteti ishin të rinj nga të gjitha shkollat e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë. “Tashmë të gjithë jemi të vetëdijshëm që pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit nuk është një modë që duhet ndjekur. Reklamat tërheqëse të duhanit janë zhdukur nga ekranet dhe sheshet qendrore të qyteteve. Dëshmia më e gjallë e këtij realiteti jeni ju, që me përkushtimin tuaj, do t’u tregoni prindërve, mësuesve dhe të gjithë shoqërisë, kotësinë dhe dëmet që shkaktojnë këto substanca”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Mes pantonimave, baletit dhe këngës të rinjtë nga i gjithë vendi kanë përçuar mesazhin “Rini pa duhan dhe alkool”. Në kuadër të kësaj iniciative janë zhvilluar një sërë aktivistesh në shumë rrethe të vendit si në: Fier, Vlorë, Lushnjë, Kavajë, Kuçovë, Berat dhe së fundmi në Tiranë. Qëllimi i kësaj fushate ishte ndërgjegjësimi i të rinjve shqiptarë. E megjithatë, synohej edhe këshillimi i prindërve për praktikat që duhet të përdorin për të inkurajuar fëmijët e tyre në marrjen e vendimeve për të lënë duhanin dhe alkoolin, jo duke ushtruar presione ndaj tyre. Pjesëmarrja e nxënësve të arsimit parauniversitar ishte shumë e madhe në numër. Aktiviteti zgjati për disa orë, ku të rinjtë jo vetëm morën dhe përçuan mesazhe sensibilizuese me njëri-tjetrin, por edhe u argëtuan nëpërmjet një atmosfere festive të mundësuar nga bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik.
#