PDK krijon fond për Fatmir Limaj
Partia Demokratike e Kosovës ka krijuar fond të posaçëm për mbrojtjen e nënkryetarit Fatmir Limaj, shkruan në numrin e djeshëm “Koha Ditore”. Zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë konfirmuar se vendimi për krijimin e fondit është marrë para dy javësh në një mbledhje të mbyllur të Kryesisë së PDK-së. Nait Hasani, njëri nga anëtarët e këtij organi drejtues të partisë, ka deklaruar të enjten se fondi tashmë është publik dhe se xhirollogaria e tij është hapur në Bankën e Re të Kosovës. “Mjetet e këtij fondi do të shfrytëzohen për të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ministrit Fatmir Limaj. Fondi mbështetet në vullnetin e mirë të simpatizantëve, aktivistëve të partisë, por edhe të qytetarëve që e shohin të arsyeshme kontributin për këtë fond”, ka thënë Hasani në një bisedë telefonike. Qëndrimi i Kryesisë së PDK-së, sipas tij, është që të mos caktohet shuma se sa duhet të kontribuohet në fond, por kjo të mbetet në vullnetin dhe mundësitë e secilit kontribuues.
#