Studimi, adoleshentët konsumojnë duhan për të rënë në peshë
Plot 16.8 për qind e adoleshentëve të moshës 13-15 vjeç pinë rregullisht duhan. Ndërkohë që 85 për qind e përdoruesve të duhanit në Shqipëri e kanë nisur, para moshës 18 vjeç.
Shqetësues mbetet sidomos fakti që numri i femrave që konsumojnë duhan arrin në 250 mijë, ndërsa i meshkujve në 800 mijë. Sipas specialistëve të shëndetit publik, nga viti në vit vërehet një rritje e ndjeshme e përhapjes së këtij fenomeni në shoqërinë tonë. Situata aktuale që paraqitet në Shqipëri, sipas Ministrisë së Shëndetësisë është tepër problematike. Kjo ka qenë arsyeja pse ky institucion për tre muaj me radhë ka zhvilluar një fushatë të gjerë sensibilizimi nën moton: “Rini të shëndetshme dhe pa alkool”. Sipas statistikave, 4 në 10 studentë të Fakultetit të Mjekësisë konsumojnë duhan, ndërsa 8 në 10 adoleshentë janë të ekspozuar ndaj këtij fenomeni.
Të rinjtë, janë shumë më të predispozuar për t’u lëkundur përpara kuriozitetit për ta provuar shijen e cigares, që fillimisht konsiderohet si modë, por më pas shndërrohet në ves, që mund të të ndjekë për gjithë jetën. Një nga faktorët favorizues për fillestarët është edhe qëndrimi në ambiente me tym, apo shoqërimi me persona që e konsumojnë rregullisht atë. Alkooli, po ashtu është një tjetër fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare. Dëmet e tij mund të jenë fatale për jetën e një të riu, që nuk është i ndërgjegjshëm për pasojat që mund t’i sjellë.
DuhaniPerceptimi i adoleshentëve për konsumin e duhanit lidhet edhe me dëshirën për t’u dukur më të pjekur. Hera-herës nuk përjashtohen edhe rastet kur konsumi i duhanit konsiderohet modë. Sipas specialistëve, ata nuk e kuptojnë që kjo shkakton revoltë dhe arrogancë në sjelljen e tyre, përballë prindërve, mësuesve apo rrethit shoqëror. Ka nga ata të rinj që konsumojnë cigare, për shkak se mendojnë se nëpërmjet saj do arrijnë të dobësohen. Rrjedhimisht, konsumatorët e saj dyshojnë se nëse e ndërpresin pirjen e duhanit, rrezikojnë të shtojnë në peshë. E megjithatë, ka edhe nga ata që nuk kanë informacion për dëmet që shkakton duhani në shëndetin e tyre. Sipas një studimi të institutit të shëndetit publik, duhanpirja shkakton dëmtim të mushkërive, puls dhe rrahje të shpejta zemre, kollitje, sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, varësi nga nikotina dhe sëmundje tumorale. Por lista e pasojave negative nuk përfundon me kaq. Radhës së saj i shtohet edhe përkeqësimi i astmës, rrudhat në lëkurë, ngjyrosja e dhëmbëve, si dhe probabiliteti për t’u sëmurur më shpejt.
AlkooliPirja e alkoolit është një tjetër fenomen tepër shqetësues në Shqipëri. Të rinjtë janë të predispozuar për të konsumuar pije alkoolike që në moshë të re. Arsyeja që i nxit ata për të provuar alkoolin është dëshira e madhe për t’u ndier të pavarur.
Shumë prej tyre ndjekin shembullin e të rriturve, ndërsa të tjerë janë nën presionin e grupit shoqëror.
Ka edhe nga ata që preferojnë të ndihen “aventurierë” dhe të dëfrehen duke kryer veprime të rrezikshme, pa e kuptuar se me konsumimin e pijeve alkoolike ata humbin rininë dhe freskinë e tyre. Një tjetër arsye që i shtyn të rinjtë të konsumojnë alkool është edhe dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes. Shpeshherë sjelljet e tyre të pahijshme justifikohen se kanë ardhur si pasojë e të qenit nën ndikimin e alkoolit.