E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: “Ftesa për dialog me PS-në për Kodin dhe zgjedhjet e lira”



Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka deklaruar se ftesat për dialog që LSI-ja ka bërë në drejtim të Partisë Socialiste kanë qenë parimore, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Ne kemi këmbëngulur dhe kemi propozuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore amendamente që përmirësojnë dukshëm standardin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. Pastaj, iniciativat e njëpasnjëshme të zotit Meta, letra dërguar zotit Edi Rama për një takim lidhur me diskutimin, në mënyrë të veçantë, të çështjeve të Kodit Zgjedhor dhe njëkohësisht iniciativa akoma më e freskët për një dialog, i cili të promovohej nga njerëz dhe figura të spikatura të së majtës shqiptare, vijnë në shërbim të linjës së gjetjes së një dialogu parimor edhe për çështjen e Kodit, për të vendosur në parametrat e duhur një nga kyçet e demokracisë në Shqipëri, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së komentoi edhe miratimin në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca të ligjit të dosjeve. “Kam përcjellë me shumë kujdes, në mënyrë të veçantë prononcimin më të fundit të zotit Devis nga Komisioni Europian, i cili bënte thirrje që të mos ketë nxitim në miratimin e nismave ligjore. Sigurisht që nxitimi, arroganca klienteliste dhe vënia e interesave partiake të ngushta mbi interesat e vendit, të shoqëruara me një “nxitim” të madh parlamentar abuziv, ka qenë karakteristikë që me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat u bënë me një nxitim të patreguar, shumë më të madh sesa ky i sotmi, në tri orë. Po i njëjti nxitim ka karakterizuar dhe miratimin e Kodit Elektoral. Ju e mbani mend se e keni përcjellë po vetë, që vetëm 24 orë përpara u vu në dispozicion të deputetëve një Kod me shumë nene, të cilët nuk patën as kohën fizike në dorë për ta shqyrtuar. Pra, ky lloj nxitimi ka prodhuar pasoja shumë të rënda, ku pasoja e fundit e radhës ishte ligji për pastërtinë e figurës, i njohur si ligji i spiunëve”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›