E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen tre klandestinë afganë në Kapshticë

Tre klandestinë të tjerë afganë janë kapur nga policia
kufitare e Kapshticës dje. Policia ka bërë të ditur se
ka zbuluar dhe kapur në një maunë me targa turke tre
shtetas afganë, të cilët po tentonin të hynin ilegalisht në
Shqipëri. Vetëm tri ditë pas kapjes së shtatë afganëve
në këtë pikë doganore, klandestinët janë rikthyer në të
njëjtën linjë dhe skemë, fenomen që për herë të parë
shfaqet këtë vit në këtë pikë kalimi, ku klandestinët
ilegalë tentojnë të përdorin transit kalimin në vendin tonë
për t‘u larguar në drejtim të Italisë. Tre klandestinët kishin
hyrë me maune nga Greqia. Mjeti me targa turke
transportonte në drejtim të Tiranës lingota alumini. Policia
ka shoqëruar për të marrë në pyetje shoferin turk të
maunës, ndërkohë që tre afganët, pas regjistrimit si
klandestinë do të kthehen në shtetin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›