E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers ironizon Berishën: Kryeminsri, nje perralle e pangopur



Vetëm pak orë para miratimit në Kuvend të projektligjit për hapjen e dosjeve, ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ka preferuar t’i dërgojë një mesazh kryeministrit Berisha. Por mënyra për të dërguar mesazhin ka qenë metaforike, e përcjellë në formën e një përralle treguar nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, në të cilën ambasadori amerikan zhvilloi një vizitë gjatë ditës së djeshme. “Një ditë të diel, sapo dielli lindi, doli një krimb i vogël dhe hëngri të hënën një mollë, por nuk u ngop. Ditën e martë krimbi doli sërish dhe hëngri dy dardha, dhe sërish nuk u ngop. Ditën e mërkurë krimbi hëngri tre kumbulla, dhe sërish nuk u ngop. Erdhi e enjtja dhe krimbi hëngri katër luleshtrydhe, dhe sërish nuk u ngop. Të premten hëngri 8 portokaj, dhe sërish nuk u ngop. Erdhi e shtuna dhe ai hëngri një copë kek me çokollatë, një akullore, një sallam, një lëpirëse dhe një tortë me luleshtrydhe. Atë natë krimbi kishte dhimbje stomaku. Ditën tjetër ishte e diel. Por krimbi hëngri vetëm një gjethe të gjelbër dhe u ndie shumë mirë. Por nuk ishte më një krimb i vogël, por një krimb i shëndoshë. Ai ndërtoi një shtëpizë të vogël dhe pas një farë kohe e gërvishti mbulesën e tij dhe doli se ishte një flutur shumë e bukur”, - u tregoi Uidhersi fëmijëve. Një përrallë e tillë është treguar në një kohë kur kryeministri Berisha nxiste deputetët e PD-së në mbledhjen e Grupit Parlamentar që të votonin ligjin për hapjen e dosjeve, duke bërë të ditur se nuk do të dalë mbi standardet. Por ata që dinë të marrin mesazhe nga përrallat e kuptojnë qartë se qëllimi i Uidhersit ishte t’i tregonte Berishës se oreksi i madh për pushtet ka treguar në të shkuarën se dëmton stomakun e atij që kërkon të hajë shumë. Dhe se asnjëherë nuk është vonë të rikthehesh në dietë. Sidomos nëse ajo sugjerohet nga amerikanët.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›