E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: ”Mangësitë sjellin probleme në shëndetin e nënës dhe fëmijës”



Mangësitë e sistemit shëndetësor në të gjithë vendin shkaktojnë probleme të mëdha në shëndetin e nënës dhe fëmijës. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i vuri në dukje këto probleme, të cilat premtoi se do të jenë pjesë e reformave në shëndetësi. “Takimi sotëm do të ndihmojë të diskutojmë edhe një herë mbi situatën dhe problematikat që ka në shëndetin e nënës dhe fëmijës. Njëkohësisht, do të diskutohet mbi aktivitetet dhe rezultatet e projekteve që janë zhvilluar deri në këtë moment, si dhe të përcaktojmë ndërhyrjet prioritare që ne kërkojmë të zhvillohen në kuadrin e këtij projekti për të arritur atë që ne kërkojmë; shërbime cilësore për shëndetin e nënës dhe fëmijës”,- theksoi Vasili. Sipas tij, shkaqet e krijimit të kësaj situate janë disa, duke filluar që nga mungesa e profesionalizmit të mjekëve, të cilët kanë mungesë të aftësive dhe njohurive për zhvillimet e reja të shkencës. Njëkohësisht, vihet re mungesa e standardeve, udhëzuesve, protokolleve të referimit për kujdesin shëndetësor të gruas dhe fëmijës. Një mungesë tjetër e rëndësishme është në organizimin e shërbimeve, lidhjet funksionale ndërmjet niveleve të kujdesit dhe sistemeve të referencës (qendrat shëndetësore, maternitetet, repartet pediatrike të spitaleve) janë të pakënaqshme. Ministria e Shëndetësisë, ka hartuar një dokument strategjik dhe plan veprimi për shëndetin riprodhues, i cili pritet të përfundojë, pas diskutimeve që do të bëhen mes specialistëve të shëndetësisë.

Cilat janë shkaqet e kësaj situate?
Ndër shkaqet e lidhura me sistemin shëndetësor mund të përmendim:
Cilësinë jo të mirë të kujdesit shëndetësor të ofruar gjatë shtatzënisë, lindjes dhe pas lindjes, për nënën dhe foshnjën e saj
Aftësitë dhe njohuritë jo të mira dhe në nivelin bashkëkohor të personelit shëndetësor, veçanërisht të atyre që punon në kujdesin shëndetësor parësor për të kryer aktivitetet e kërkuara sipas standardeve të OBSH-së
Mungesën në standarde, udhëzime, protokolle referimi për kujdesin shëndetësor ndaj gruas dhe fëmijës
Organizimi i shërbimeve, lidhjet funksionale ndërmjet niveleve të kujdesit dhe sistemeve të referencës (qendrat shëndetësore, maternitetet, repartet pediatrike të spitaleve)
Promocioni edukimi shëndetësor në familje dhe komunitet lidhur me shëndetin e nënës dhe fëmijës ende nuk është në nivelin e duhur që ka bërë që familjet, gratë nuk kanë ose kanë informacion të pamjaftueshëm për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre

Reagimi
Drejtoresha Moisiu: “Korrupsioni në shëndetësi, veprim i individëve të veçantë”

Arrestimi i tre mjekëve dhe dy infermierëve pak ditë më parë, ka sjellë reagimin e Drejtoreshës së Maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, ku është shprehur se korrupsioni në shëndetësi është pjesë e individëve të veçantë. Ajo ka kërkuar që të mos hidhet baltë mbi bluzat e bardha. Moisiu, ka dënuar fenomenin korruptiv, ndërkohë që është shprehur se i takon organeve të drejtësisë për të gjykuar personat dhe opinioni publik nuk duhet të influencohet nga ngjarje të tilla. “Të gjithë ne dënojmë dhe distancohemi prerë nga fenomene negative të individëve të veçantë, por inkurajojmë nga ana tjetër të gjithë personelin shëndetësor që punon me ndershmëri e devocion në shërbim të grave dhe fëmijëve shqiptarë”, - u shpreh Drejtoresha Moisiu. Drejtoresha e Maternitetit “Koço Gliozheni” nuk përjashton problemet që has personeli shëndetësor gjatë shërbimit të pacientëve Ajo theksoi se puna e bërë ndër vite nga mjekët nuk duhet të nëpërkëmbet duke shkaktuar ngjarje të papëlqyeshme mes pacientëve dhe mjekëve. “Në këtë volum të jashtëzakonshëm pune ka volume dhe mangësi të cilat janë njohur prej nesh dhe po përpiqemi t’i eliminojmë ato. Por asnjë ngjarje apo individ përgjegjës për veprimet e veta të gabuara nuk mund të nëpërkëmbë imazhin e mirë të institucionit të arritur në vite me shumë punë dhe sakrifica”, - theksoi Moisiu. Në Maternitetin “Koço Gliozheni” kryhen rreth 4000 lindje në vit, realizohen rreth 2500 operacione, shtrohen mbi 7500 pacientë dhe konsultohen mbi 11 mijë gra çdo vit.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›