E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa, automjetet që nuk paguajnë taksat të mos furnizohen me karburant



Ervin KOÇI

Qeveria mendon t’u presë rrugën automjeteve që qarkullojnë pa paguar taksat rrugore në pikat e furnizimit me karburant. Sipas një skeme të disa kohëve më parë të hartuar nga Ministritë e Financave dhe Transporteve, stacioneve të shitjes së karburanteve ju propozua mbajtja e “listës së zezë” që do të jepej nga institucionet sipas të cilës, automjetet që nuk paguanin taksa nuk kishin të drejtë të furnizoheshin me karburant. Por kjo skemë u hodh poshtë dhe nuk u pranua nga kompanitë e tregtimit të hidrokarbureve, të cilat prej disa muajsh kanë një debat të vazhdueshëm me Ministrinë e Financave në lidhje me instalimin e kasave fiskale. Pak kohë më parë qeveria miratoi një procedurë që lejonte regjistrimin e automjeteve që kishin probleme me ligjin, të cilat do të identifikoheshin në momentin e furnizimin me karburant. Plani u rrëzua brenda një harku kohor të shkurtër, pasi u pa tepër e vështirë për t‘u zbatuar. Sipas modelit të kundërshtuar, personat që kanë probleme me shtetin, ose me distributorin për efekte detyrimesh, nuk do të mund të furnizoheshin me karburant. Identifikimi i tyre do të vinte përmes serverit të instaluar në kasën fiskale, në momentin e shënimit të të dhënave, si emri dhe targa e automjetit. Ky model u kundërshtua, duke detyruar ministrinë të gjente rrugë tjetër, atë të lëshimit të kuponit për çdo furnizim.

Kasat

Shoqëritë e karburanteve që tregtojnë me pakicë kanë afat deri më 15 tetor për të lidhur kontratat me një nga pesë shoqëritë e autorizuara për vendosjen e kasave fiskale. Afati është vendosur nga Ministria e Financave, por gjasat janë që të mos zbatohet. Tregu i karburanteve në vend operon në kushte pjesërisht informale dhe të paorganizuar. Shoqëritë e autorizuara nga Ministria e Financave për vendosjen e pajisjeve fiskale ankohen për mungesën e informacionit që kanë disa shoqëri karburanti sa i takon detyrimit për t‘u pajisur me kasa. Nga vëzhgimi i bërë në treg, rezulton se ka shumë probleme me pompat e karburantit, të cilat janë të vjetra dhe nuk e njohin modelin e kasës. "Të paktën 80 për qind e tregut punon në mënyrë të çrregullt. Pikat e vogla, që nuk janë markë, kanë një numër të lartë prezence në treg dhe operojnë në kushte minimale rregulli. Makineritë e tyre nuk janë të standardizuara, ndërsa pompat kanë kode që nuk përputhen me deklaratat në dogana ose me certifikimin e lejuar nga BE. Në këto kushte, shumë pika karburanti nuk kanë ndërmend t‘i ndërrojnë pajisjet për shkak të kostos, e për pasojë vendosjen e kasës fiskale e shikojnë si diçka të pakuptimtë",- pohojnë pronarët e distributorëve në kryeqytet.

Debati

Jo më larg se dy ditë më parë, Ministria e Financave nxori një udhëzim për vendosjen e kasave për pikat e karburantit, duke specifikuar kushtin e pajisjes së çdo pompe me memorie fiskale. Tjetër problem lidhet me çmimin e kasës, e cila për këtë lloj aktiviteti shkon deri në 3 mijë euro. Mjafton që një shoqëri karburanti të ketë 10 pika shitjeje dhe kostoja del e konsiderueshme. Gjoba për mospajisjen me kasë fiskale shkon deri në 1 milion lekë të vjetra. Shumë biznese nuk i kanë vendosur pajisjet nga neglizhenca ose mungesa e informacionit. Disa të tjera i kanë vendosur në vitet ‘95-‘96, por që më pas dështuan, e tani nuk duan të blejnë të tjera. Për pajisjet e vjetra, udhëzimi i ri i Financave qartëson se do të certifikohen nga drejtoria e kalibrimit dhe shoqëritë e autorizuara. Në rast të kundërt, biznesi është i detyruar që t‘i blerë të reja. Në tregun e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, aktualisht operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga Ministria e Ekonomisë me "leje tregtimi" (shumicë), si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). Ministria pranon se tregu paraqet probleme, ku shumë pika karburanti nuk janë të pajisura me licencë, ku një pjesë e tyre nuk garantojnë siguri dhe standarde.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›