Gripi i derrit, shkon në 840 numri mostrave të mbledhura
Emanuela Sako
Numri i mostrave të mbledhura nga ISHP-ja deri tani ka shkuar në 840. Një pjesë e tyre po analizohen në laboratorin e Rumanisë, nga ku pritet dhe përgjigja për verifikimin e rasteve. ISHP-ja bën të ditur se aktualisht problemet respiratore po shënojnë rritje, çka ka kaluar dhe nivelin e rritjes krahasuar me një vit më parë. Problemet respiratore ose me frymëmarrjen vihen re më tepër tek fëmijët e vegjël, të cilët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virozat e stinës apo gripi i zakonshëm stinor. ISHP- thekson se aktualisht nuk ka raste të reja të konfirmuara me virusin e gripit të derrit, por kjo nuk do të thotë që qytetarët të neglizhojnë vizitat tek mjekët për simptomat që shfaqin.
Rastet
Specialistët shprehen se fëmijët janë më të rrezikuarit nga problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe ata duhet të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Në të kundërt, ata do jenë më të rrezikuar nga prekja e gripit të zakonshëm si dhe nga prekja me virusin A H1N1. Ditë e fundit, në Spitalin Pediatrik të Tiranës, ka pasur një fluks të madh të pacientëve të vegjël që paraqiten me të tilla simptoma. Numri i tyre ka kaluar mbi 200 persona në ditë. Ndërkohë që ende nuk është kryer vaksinimi i tyre, pasi qytetarët këtë vit nuk u janë drejtuar farmacive për marrjen e vaksinës së gripit të zakonshëm. Ata e kanë shpjeguar me faktin se po presin ardhjen e vaksinës kundër gripit pandemik, duke pasur parasysh se ky virus është më i rrezikshëm.
Situata
Situata më problematike përsa u përket viruseve të ndryshme në qarkullim është në ambientet publike, sidomos në shkolla e çerdhe. Prekja nga virusi në këto ambientet duket se është e pashmangshme, pavarësisht se deri tani nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar me virusin AH1N1. Virusi gripal në këto ambiente nuk mund të shmanget vetëm nëpërmjet përhapjes së broshurave dhe njohjes së fëmijëve, prindërve apo personelit me këto simptoma. Por, lind nevoja e vendosjes së një personeli shëndetësor që të analizojë të gjitha rastet. Kjo është një nga nismat që ka ndërmarrë ISHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, por jo të gjitha shkollat dhe kopshtet janë të pajisura me personel shëndetësor. Në sistemin arsimor në rrethe, prania e bluzave të bardha është plotësisht e papranishme, përfshirë dhe mjaft të tjera në kryeqytet.
Të dhënat e ISHP-së për muajin tetor
Ka një rritje të numrit të infeksioneve respiratore krahasuar me një vit më parë
Këtë javë vërehet një trend në rritje, të numrit të infeksioneve respiratore
Numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore vërehet në moshat fëminore
Nuk ka shpërthim epidemik të infeksioneve të ngjashme me gripin. Numri i mostrave është 840 mostra nga Tirana dhe rrethet
Numri me i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara
Deri më tani janë konfirmuar 34 raste me virusin A(H1N1)
Të gjithë rastet tashmë janë të shëruar
9 Tetor 2009