E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, në shtator çmimet e konsumit u rritën me 0.8 për qind



Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2009, arriti 103.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor në muajin Shtator është 2.0 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 2.7 për qind. Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një rritje prej 1.7 për qind, me një ndikim prej 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 6.9 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të specave me 18.8 për qind, bamjeve me 17.3 për qind, patëllxhaneve me 14.3 për qind, domateve me 6.9 për qind, patateve 5.0 për qind, etj. Indeksi në nëngrupin "fruta" shënoi një rritje prej 5.2 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të shalqinit me 34.7 për qind, pjeprit me 24.8 për qind, portokalleve me 16.5 për qind, pjeshkëve me 5.8 për qind, limonëve me 2.6 për qind, etj. Gjatë muajit Shtator çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, "sheqer, reçelra, mjaltë etj" 3.1 për qind, "qumësht, djathë e vezë" 0.5 për qind, "mish" 0.3 për qind, etj. Indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.3 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të veshjeve për gra me 0.6 për qind, veshjeve për fëmijë me 0.8 për qind dhe këpucëve për gra me 0.6 për qind.
Indeksi i grupit "Pije alkoolike dhe duhan" shënoi një rritje prej 0.6 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.3 për qind. Ndërsa indeksi i grupit "Transport" shënoi një rritje prej 0.9 për qind. Gjatë muajit Shtator çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.2 për qind, dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind. Indeksi i grupit "Argëtim dhe kulturë" shënoi një rritje prej 0.8 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të teksteve shkollore me 3.4 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga +0.1 për qind ne + 0.5 për qind.

Administrimi i rrezikut të likuiditetit, BSH analizë në mbledhjen e ardhshme

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të diskutojë gjatë mbledhjes së ardhshme projektdeklaratën “Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009”. Burime zyrtare nga institucioni qendror bankar bënë të ditur se do të shqyrtohet edhe projektrregullorja “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit”, si dhe ajo “Për regjimin e hyrje - daljeve në objektet e Bankës së Shqipërisë”. Në të njëjtën mbledhje anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës pritet të analizojnë edhe projektin “Për një ndryshim në fondin numizmatik për kartëmonedha dhe monedha metalike të shtypura për qëllime numizmatike”, si dhe do të marrin në shqyrtim informacionin “Për inspektimet e kryera në banka gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009”. Në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Kjo lëvizje është vazhdim i politikës monetare të kujdesshme të ndjekur nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2009, politikë e cila ka synuar përcjelljen e stimujve të kontrolluar monetarë dhe ruajtjen e pritjeve inflacioniste afër nivelit të synuar prej saj. Sipas burimeve të Bankës Qendrore, zhvillimet e fundit sugjerojnë se tabloja e presioneve inflacioniste po zhvendoset përgjithësisht në kahun rënës. Ecuria e kursit të këmbimit, e pritjeve inflacioniste, si dhe pozicioni fiskal i vendit, do të vazhdojnë të kushtëzojnë balancën e rreziqeve në të ardhmen. Qetësimi i pritshëm i këtyre zhvillimeve në kushtet e një ambienti financiar të stabilizuar mirë, do të krijojë hapësirat e duhura për rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Një rrezik në kahun rritës për çmimet e konsumit është përcjellja më e lartë e tendencës së fundit rritëse të çmimeve të lëndëve bazë në tregun botëror.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›