E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo, ne nuk jemi në opozitë!!!



Violeta SINOIMERI

Vjeshta e kësaj radhe duket më gri, tani që 28 qershori i ka lënë vendin polemikave pro dhe kundër këtyre zgjedhjeve. Të gjithë ata që, objektivisht, i lexuan këto zgjedhje, qartazi, nënvizuan konkluzionin: “Pati progres, por standardet u cenuan”. Në pothuajse 1/3 e qendrave të votimit, pati deformim të votës dhe votim të keq dhe shumë të keq. Mazhoranca e “përlotur” i bën thirrje opozitës të hyjë në parlament, duke u “betuar” se do të plotësohen të gjitha kërkesat e saj kushtetuese.
Por, ne nuk jemi në opozitë!
Ne nuk jemi në opozitë. Ne jemi forca e parë politike, që mori më shumë mbështetje në zgjedhjet e qershorit; ne nuk jemi në opozitë, se përfaqësojmë një spektër më të gjerë se e majta; ne nuk jemi në opozitë, se mbështesim dhe frymëzojmë alternativën europiane të shumicës së shqiptarëve, të cilët i janë bashkëlidhur filozofisë tonë. Nuk kam dëshirë të rendis të tjera definicione, pasi tashmë gjithçka është e qartë: Kokëfortësia e qeverisjes, së atyre që shpejtuan ta pagëzonin këtë qeveri me emrin “qeveri e Integrimit” është e dukshme dhe e qartë. Ajo nuk mund të bëj asgjë për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve, ku ajo vetë ishte regjizorja e asaj batërdie dhe deformacioni elektoral. Kjo qeveri, që vetë-pagëzohet me emra pompozë dhe spekulativ, mendon se mund të fshehë ilegjitimitetin që buron nga vota e vjedhur, me emra dhe trukime blumediatike. Thirrja e socialistëve për të manifestuar në shesh, më 10 tetor kundër kësaj qeverisje dhe deformimit të rezultatit të zgjedhjeve është një thirrje më e gjerë, e cila synon të rrok atë shumicë absolute të vërtetë të shqiptarëve që mendojnë dhe besojnë si ne; që zgjedhjet vidhen dhe do të vazhdojnë të vidhen nëse ne nuk do të ngremë zërin e protestës për ta ndalur këtë maskaradë 18-vjeçare. Integrimi ynë europian nuk do të përparojë nëse standardet zgjedhore shkelen dhe deformohen si më 28 qershor. Niveli ynë ekonomik do të vazhdojë të bjerë frikshëm nëse ne do të vazhdojmë të bëjmë indiferentin dhe konformistin. Papunësia në familjet tona do të rritet në mënyrë progresiste, në sinkron me varfërinë, nëse ne nuk do të flasim tani. Taksat, arbitrariteti i zbatimit të njëanshëm të kontratave të punës, faturat e telefonit, energjisë, ujësjellësit televizorit, telefonisë celulare, bashkisë, spitaleve, sigurimeve shoqërore, do të bëhen edhe më të rënda dhe abuziviste, - duke e tkurrur ndjeshëm ekonominë e familjes shqiptare, e duke e çuar atë drejt një kolapsi të plotë, - nëse ne nuk do të flasim. Shëndetësia dhe arsimi do të vazhdojnë të jenë në nivelet më të ulëta, ku gjithçka mungon edhe pse qytetari paguan… Shqipëria do të mbetet përsëri në pritje të vagonit të fundit të trenit të fundit, për të mbërritur Europën, nëse ne do të vazhdojmë të gënjehemi dhe besojmë pallavrat e kësaj qeverie amalgam, që po e çon vendin drejt një krize të gjithanshme, duke i shuar edhe shpresën për atë që quhet, ëndrra europiane. Është kjo analizë që më bën të deduktoj se, - nëse nuk rrisim ndjenjën dhe shpirtin kombëtar për një reagim më të gjerë mbarëkombëtar, duke u shkëputur nga interesat tona të vogla, personale, të çastit, - rrezikojmë që të humbim arsyen e aftësisë për të reaguar… Një komb që humbet refleksin e reagimit, kur i vjedhin votën, kur i vjedhin lirinë, kur i vjedhin fjalën, kur i vjedhin paratë, rrezikon të humbë identitetin e vet kombëtar… Ndaj, mendoj se kërkesa për protestën tonë, nuk i përket anëtarësisë socialiste; ajo i kapërcen këto kufij, pasi aspirata e kësaj proteste është shumë më e madhe se një parti, është shumë më e madhe se një elektorat, ajo është protestë e një filozofie tjetër, ku po na kërkohet të nisim një betejë tjetër, - atë të një fillimi të ri; të një qasjeje tjetër me popujt e Europës që ka të bëj me reagimin e bashkuar qytetar, kur Kushtetuta dhe standardet shkelen. Kjo është europiane, ndaj le të sillemi si europianë… Ne nuk i duam sheshet për ti shndërruar në arena betejash, me gurë e shishe benzine; ne sjellim në sheshe dallgët e një qytetërimi që kërkon drejtësi dhe manifeston shumicën, forcën e një filozofie që po troket fuqishëm; forcën e atyre shqiptarëve që besojnë dhe inkurajojnë ndërtimin e standardeve të reja, ku çdo votë të numërohet drejt dhe pa shtrembërime, pavarësisht se kujt i përket. Le te ngremë zërin tonë të protestës, me qëllim që t’i japim fund precedentit të turpshëm, që, fatkeqësisht, vazhdon të na shoqërojë zgjedhje pas zgjedhjesh, nën moton: “Populli voton, unë, pushteti numëroj”… Le të ketë një herë të parë për të detyruar pushtetvjedhësit, Komisionet Zgjedhore, Kolegjin Zgjedhore, etj., të ulin kokën përpara taksapaguesit popull, atij, që me taksat e tij i mban këto struktura për ta mbrojtur votën dhe drejtësinë, e jo për ta deformuar atë. Le të jetë ky manifestim fillimi i një standardi tjetër, ku protesta popullore të shndërrohet në vendimin e popullit gjykatës. I besoj protestës, kur populli di të reagojë me arsyen e tij universale, ndaj i bashkohem organikisht atij, popullit tim, që nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por populli im, me të njëjtat halle, me të njëjtat probleme dhe shqetësime, sikur edhe unë socialistja, pjesë e të cilit unë jam. Te drejtohem edhe ty, që ndoshta si unë nuk mendon: “Bashkoju kësaj lëvizje proteste, pasi nuk ka të bëj vetëm me një parti, por është shumë herë më tepër; ajo përfaqëson atë ç’ka mund të konsiderohet substanciale, sikurse është respektimi dhe leximi korrekt i çdo vote, nga ku lind dhe buron demokracia e vërtetë.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›