Vasili: Në poliklinika paketë e re shërbimesh për të moshuarit
zirina llambro
Ka zgjedhur poliklinikën nr. 8 në Tiranë për të qenë më pranë të moshuarve. Janë pikërisht ata që trokasin më shpesh në dyert e ambulancave të lagjeve. Jo pa qëllim vizita e Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, në këtë institucion shëndetësor u bë dje. Në ditën ndërkombëtare të moshës së tretë, ai bashkëbisedoi me ta, dëgjoi shqetësimet sa i përket shërbimit shëndetësor e u premtoi vëmendje maksimale nga dikasteri që drejton. Sakaq Vasili dhuroi në mënyrë simbolike dokumentin që përfaqëson gamën e re të shërbimeve, që do t'u ofrohen të moshuarve në poliklinika. Bëhet fjalë për një paketë me 7 shërbime, të cilat do të jepen për herë të parë. Këtu bëjnë pjesë monitorimi i pamjes dhe dëgjimit, ai i kapacitetit funksional mendor, këshillimi për një ushqyerje të shëndetshme, deri te marrja e vitaminës D që parandalon osteroporozën. Kreu i Shëndetësisë u shpreh se nismat për të ndihmuar këtë kategori do të vazhdojnë në muajt në vijim, ndërkohë që monitorimi i kujdesit të shëndetit për të moshuarit do të jetë parësor për personelin shëndetësor. "Ka ardhur momenti që shoqëria të kthejë kokën ndaj kësaj shtrese që ka kontribuar jo pak. Mosha e tretë do të jetë në fokus të politikave tona shëndetësore. Ky i sotmi është thjesht një gjest simbolik dhe akt mirënjohje, në raport me këtë shtresë". Ky dokument, i cili është fillesa e një reflektimi të madh që nuk mbaron këtu, unë kam kënaqësinë t'ia dhuroj prof. Reshatit, si një akt simbolik", tha Petrit Vasili, teksa i dorëzonte kryetarit të shoqatës së Geriartrisë, Reshat Koci, certifikatën simbolike me shërbimet shtesë që do t'i ofrohen kësaj shtrese. Sipas tij, shumë shpejt do të këtë një rishikim të sistemit të referimit në mënyrë që pacientët t'i drejtohen mjekut të familjes, dhe jo vetëm spitaleve të mëdha, për të marrë ndihmën mjekësore. Vetëm kështu mund të bëhet i mundur reduktimi i fluksit të pacientëve në spitale. "Ne u urojmë dhe kërkojmë që poliklinikat tona të jenë sa më të 'mbingarkuara', në mënyrë që spitalet tona të jenë më pak të mbingarkuara nga ngarkesa e panevojshme që ata mbajnë", tha Vasili. Më tej ministri vizitoi të gjitha shërbimet e Poliklinikës nr. 8, takoi mjekë dhe pacientë dhe nuk nguroi t'u drejtojë dhe një këshillë mes kolegesh, për të gjithë stafin e kësaj poliklinike. "Pacientëve që trokasin në dyert tuaja nuk ju mjafton vetëm shërbimi i kualifikuar dhe korrekt, por ka dhe një element tepër të rëndësishëm në punën tonë si mjekë, goja e ëmbël", ka thënë Ministri i Shëndetësisë. Vizita e parë në Poliklinikën nr. 8, do të jetë fillimi i një turi të kreut të këtij dikasteri në të gjitha hallkat e shërbimit parësor në vend. Ky tur fillon me Tiranën, për t'u shtrirë në të gjitha qytetet e vendit.
Kujdesi parandalues dhe edukimi i pacientëve apo familjes:
1. Monitorimin e lëvizshmërisë dhe aktivitetin fizik.
2. Monitorimi i pamjes dhe dëgjimit.
3. Monitorimi i kapacitetit funksional mendor dhe këshillimin e aktiviteteve të stimulimit mendor ( parandalimi i demencës).
4. Monitorim periodik i gjendjes së ushqyerjes si dhe këshillimi për ushqyerje të shëndetshme.
5. Këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale.
6. Këshillim për ushtrime fizike dhe marrje të kalçiumit dhe vitaminës D për të parandaluar pasojat e osteoporozës.
7. Monitorimi dhe edukimi periodik i të moshuarve dhe familjareve të tyre mbi dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve.