E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhurma e fyerjes që trokiti në derën e historisë shqiptare

Ndriçim Kulla 

Ekziston një anekdotë e treguar nga kronikat kineze, sipas së cilës Perandori që ndërtoi Murin e Madh – pra, bëhet fjalë për një ngjarje të shekullit të tretë para Krishtit – ndaloi gjithë qarkullimin e librave të historisë, duke i dhënë të drejtë fjalës së një këshilltari të tij famëkeq, i cili mbronte këtë motivacion: “Nëse vartësit e Perandorisë dinë se ç’ndodhte në periudhën e regjimit të Perandorit të mëparshëm, e më pas në atë të para tij, munden fare mirë të bëjnë një ballafaqim”. Kësisoj, larg nga librat e historisë. Perandori në fuqi është parametri i vetëm i mundshëm. Dakord, kemi të bëjmë me një anekdotë, pak a shumë të vërtetë, por koncepti që ajo përçon është se historia nuk është shumë e dashuruar prej ndjenjave demoniake.
Ky ishte mendimi i parë që më përçoi, kur dëgjova lajmin befasues të botimit të një enciklopedie kaq fyese për shqiptarët, nga shteti ynë fqinj. E mendova se arsyeja se përse historia shihet vallë me sy të keq nga disa, qëndron në faktin se ajo arrin t’i ndihmojë njerëzit të fillojnë të kuptojnë diçka më shumë. Veçse diçka më shumë të drejtë, jo të shtrembër. Pas këtij çasti të parë, pyetja kryesore që shtrova ishte: Pse vallë një agresivitet i tillë?
Nuk mund të diskutohet prejardhja dhe vijimësia, më së paku thrako-ilire e shqiptarëve, kjo gjë tashmë është mbyllur dhe vulosur shkencërisht nga të gjitha qarqet akademike europiane. Ndaj duket vërtet e çartur që të rihapet, qoftë edhe në mënyrë negative. Problemi është pse kaq fyese dhe e skajshme? 
Pluraliteti i kohëve historike është një problem që pat qenë në qendër të historiografisë së madhe të viteve 1900, e në veçanti të shkollës franceze të Analeve. Historianët e kësaj shkolle arritën në përfundimin se nuk ekziston një kohë unike historike, porse struktura e historisë është si të thuash e shtresëzuar. Historia nuk është as lineare e as ciklike, nuk ndjek as idenë e shigjetës e as atë të ciklit të kohës. Ajo ka një strukturë pak a shumë gjeologjike, me disa shtresa. Shpesh ndodh që shtresat të lëvizin, të kapërcejnë e të mbivendosin njëra-tjetrën dhe që shtresa që qe në fund të priret t’i kalojë të tjerat, t’i kapërcejë, të pozicionohet sipër tyre. Pra, kemi një lëvizshmëri të vazhdueshme të shtresave të historisë. Kjo ide e shtresëzimit duket shumë më e vlefshme dhe rezultative në shpjegimin e kësaj pyetjeje se sa mund të qe modeli linear progresiv apo modeli thellësisht ciklik.
Ç’është ky shpërthim intelektualizmi primitiv, që të kujton prirjet atavike dhe barbare të sllavëve, që shekuj e shekuj të tërë pas shqiptarëve autoktonë vërshuan pasi kaluan Danubin nëpër tokat e tyre? Mos vallë kemi të bëjmë me rikthimin nga thellësitë e historisë të një materiali simbolik të barbarizmit, që dukej i varrosur në errësirën e kohës, të shtresës dhe genit të tyre mësymës, fyes dhe primitiv? E kjo shtresë, në vorbullën e rrëmujës do të kapërcejë të tjerët e të zërë vend sipër tyre në shkallën e autoktonisë së këtyre trojeve. Për rishikimin dhe “ndërtimin e impianteve” jetëgjatë historikë, siç lipset të jetë padyshim një enciklopedi, nevojiten rregulla, nevojiten  metoda shkencore dhe teknika të përpunimit të dokumenteve. A mos vallë, me këtë enciklopedi ka dokumente ilustrues të tezës që ajo parashtron, dhe interpretimi i tyre, mos vallë është bërë në bazë të një metode të gjithë-pranuar shkencore? Kush nuk i zotëron këta elementë, nuk mund të bëjë histori. Mungesa e të gjithë këtyre cilësorëve çon – ashtu siç dhe ka ndodhur tek ky libër – në një “falimentim të historianit” dhe në një “tradhti të intelektualëve ndaj shoqërisë”. Nacionalizmi ishte njëri nga rreziqet më të mëdha të shekullit XX, por duket që edhe në fillim të këtij shekulli po jetojmë një përzgjatim të shekullit të shkuar. Për nacionalizmin zakonisht thuhet se është si kolesteroli. Mjekët përcaktojnë se ka një kolesterol të mirë dhe një të keq, por veprimi i tij është mëse i domosdoshëm. Një paralelizëm të tillë mund të bëjmë edhe me nacionalizmin. Lipset të përcaktohet se kur kemi të bëjmë me një nacionalizëm legjitim - si p.sh., ky i popullit shqiptar për çështjen e Kosovës - një nacionalizëm që nuk gënjen me të shkuarën e vet e që arrin të respektojë edhe të tjerët. Ekzistojnë interpretime të ndryshme të së shkuarës, por shumë prej tyre janë të pabaza, sepse nacionalizmi i keq bazohet përgjithësisht mbi manipulime krejt të papërligjshme, duke filluar pikërisht nga niveli shkencor dhe ai historik. Ndaj, përgjigjja që duhet të vijë nga ana e atyre që duan të përparojnë anën e tij më pozitive, duhet të jetë e formuluar pikërisht në këto nivele shkencore, duhet të bazohet pikërisht në modelet më bashkëkohore të historiografisë, e të ketë brenda edhe një moral historik, atë që të konsistojë në demonstrimin e asaj që është e drejtë të thuhet në lidhje me të vërtetën e së shkuarës. Vetëm kështu, duke e përdorur historinë si vullnet shkencor dhe si vullnet të një përfaqësimi dinjitoz, diplomacia jonë do të jetë e besueshme dhe bindëse, vetëm kështu politika jonë e jashtme do të fitojë peshë në interpretimet e saj gjeopolitike apo gjeostrategjike.
Por ajo çka është më e rëndësishmja nga i gjithë ky episod, është shkasi që ai duhet të na japë për bërjen e një hopi cilësor në mënyrën e interpretimit të historisë sonë dhe të përdorimit të saj. E këtë hop cilësor duhet të na e japë vetëm vullneti politik, sidomos në rritjen e vëmendjes ndaj mësimdhënies së historisë në të gjitha nivelet e shkollave tona, duke mos harruar përgjegjësinë e madhe për krijimin e institucionit shtetëror të kujdesit, për të publikuar ato vepra të rëndësishme nga fusha e albanologjisë, të cilat shprehin shumë të vërteta historike, por që, ende edhe sot e kësaj dite si për çudi u mbahen të fshehura shqiptarëve. Shtrimi për diskutim i një problemi të tillë si historia shqiptare, është në thelb një parakusht i mirë për t’i dhënë demokracisë dhe lirisë sonë instrumentet e nevojshëm të progresit dhe rritjes kulturore, në vend të mjeteve të thjeshta të propagandës, divulgacionit të shtrembëruar dhe populizmit shterp të mjaft emisioneve televizive.
Ka ardhur koha që të fillojmë të ngremë e të ndërtojmë në ndërgjegjen tonë kolektive, idenë se kujdesi për historinë tonë dhe mbrojtjen e saj, nuk është vetëm një orvatje e ndershme dhe e guximshme intelektuale drejt së vërtetës, por edhe një ndihmesë e fortë në përcaktimin e identitetit tonë etniko-kulturor. Historia jonë nuk duhet të përfaqësojë vetëm një vullnet shkencor e intelektual, por në radhë të parë një faktor të përligjur dinjiteti, për të qenë të barabartë mes të barabartëve, ose ndryshe, midis atyre që i kanë dhënë udhë, që në epokat më të lashta kësaj Evrope, së cilës ne sot po kërkojmë t’i bëhemi pjesë. Ka ardhur koha, pra, që vullneti politik ta shohë historinë si vullnet përfaqësimi dhe dinjiteti, që ta fitojmë këtë të drejtë, madje dhe ta reklamojmë atë botërisht. Ka ndodhur shpesh që segmente të caktuara intelektuale dhe akademike për të ruajtur statuskuonë dhe privilegjet shkencore të trashëguara nga sistemi komunist, të mos e shohin me po aq vlerësim dhe përkrahje sa ç’e meriton nismën e nxjerrjes dhe botimit të burimeve më të reja dokumentare për historinë tonë, sidomos atëherë kur këto teza janë të debatueshme në qarqet akademike. Pesimizmi, në skajin më të epërm dhe skepticizmi, dilema, dyshimi apo etiketimi me terma të tillë si “romantik” apo “nacionalizëm shterp” - që në thelb janë shenjë pafuqie e një argumentimi historik apo alternativ - në skajin tjetër, janë shumë ndëshkuese dhe ligështuese për potencialin e kësaj nisme, që ajo ta shohë vërtet reklamimin e historisë sonë si një lëvizje me vullnet politik, shkencor e intelektual. Por edhe kahu tjetër, ai i një optimizmi të çartur, i një besimi të tejskajshëm dhe të paargumentuar, në vetvete, nevojitet të ketë po të njëjtën masë auto-ironie. Optimizmi dhe pesimizmi nuk duhet të jenë llogoret ku duhet të prehet qëndrimi ndaj kësaj nisme; as dyshimi dhe shpresa e pabazë, as politizimi dhe demagogjia, as ideologjizmi dhe as diletantizmi. Optimizmi dhe pesimizmi, bashkë me derivatet e tyre më të forta e më të dobëta, janë zgjedhja më e lehtë e atij që nuk do të jetë realist. Realizmi është përgjigjja më e mirë e qëndrimit tonë ndaj këtij provokacioni që po na bëhet. Realizmi i  vështrimit midis shpresave dhe dilemave, të nismës së shkrimit më të plotë dhe më realiste të historisë dhe propagandimit të saj me një vullnet politik, përtej se shkencor dhe intelektual. Ndaj nuk duhet të ankohemi nga zhurma e fyerjes që trokiti në derën e historisë shqiptare, pasi është në dorën tonë që një ditë ta kujtojmë atë si një trokitje kthesë-bërëse për t’u kujdesur më denjësisht si shtet dhe shoqëri për rrënjët tona historike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›