E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat, Kuvendi i drejtohet policisë

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi i “kërcënon” deputetët me përballjen me policinë në rast se nuk dorëzojnë vullnetarisht makinat e tyre. Një shkresë e shpërndarë nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Albert Kushti, urdhëron deputetët që të dorëzojnë makinat e tyre. Pas dështimit të tentativës së parë të datës 14 gusht, për dorëzimin e automjeteve, sekretari i Përgjithshëm ka nisur një letër të dytë në të cilën u kërkohet deputetëve t’i dorëzojnë ato, pasi janë në pronësi të Kuvendit. “Ju bëjmë me dije se, nëse automjeti nuk kthehet brenda datës 21/09/2009, jemi të detyruar të lajmërojmë instancat e Policisë së Shtetit për bllokimin mjetit”, thuhet në shkresën e firmosur nga ana e Kushtit. Shkresa ultimative është firmosur më 18 shtator dhe i kërkon deputetëve që brenda tre ditëve të kryhet një procedurë e tillë. Edhe pse gëzojnë një status të veçantë, imunitetin, paprekshmërinë, kjo nuk e ka penguar drejtuesin më të lartë administrativ të Kuvendit t’i paralajmërojë se mund të përdorë edhe uniformat blu. Më 14 gusht, ishte po sekretari i Përgjithshëm i cili kërkonte që deputetët të dorëzonin makinat e tyre, kjo argumentohej me faktin në kuadër të organizimit të punës në prag të nisjes së legjislaturës së parlamentare. Por, pas kësaj, sipas burimeve pranë Kuvendit, mësohet se një pjesë e vogël e deputetëve kishte zbatuar urdhrin e dhënë. Ndërsa problem për administratën e Kuvendit kanë qenë deputetët e opozitës, pasi socialistët ende nuk kanë kryer betimin si deputetët të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Shkresa për deputetët e majtë, mësohet se u është dërguar edhe në selinë e PS-së, ku u kërkohej që të viheshin në dijeni deputetët për shkak të dorëzimit të makinave. Aktualisht janë rizgjedhur 59 deputetë, ku 23 janë socialistë dhe 32 të PD-së, pjesa tjetër janë të LSI-së, PBDNJ-së dhe LSI-së. Sipas ligjit pas çdo mbarimi të Legjislaturës, deputetët duhet të dorëzojnë makinat e dhëna nga shtetit. Në çdo sesion të ri realizohet një rishpërndarje nga Kuvendi. Arsyeja e dorëzimit të makinave lidhet me faktin dhe të ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri, nga maxhoritar në proporcional. Më përpara makina e deputetit jepej për shkak se ato ishin deputetë të zonave zgjedhore, ndërsa tani të zgjedhurit e popullit zgjidhen mbi bazën e listës shumëemërore. Vendimi i sekretarit të Përgjithshëm është lëshuar përpara se qeveria të marrë vendimin në formë projektligji për heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë, të cilët gëzojnë status të veçantë, makina dhe shoferë. Nga ky vendim preken dhe deputetët e Kuvendit. Projektligji i propozuar nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, “Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë”. Në bazë të këtij drafti, hierarkia shtetërore ndahet në katër kategori, ku e para është ajo e krerëve të shtetit dhe e katërta është kategoria e nëpunësve të ulët të administratës. Në draft është përcaktuar që 18 zyrtarët më të lartë të kenë makinë dhe shofer gjatë aktivitetit të tyre zyrtar. Ndërkohë vetëm Presidenti, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri, mund të përdorin makinat zyrtare edhe gjatë fundjavave jo për qëllime pune. Për sa i përket funksionarëve të tjerë të lartë, që përfshihen në kategorinë e parë, ata do të duhet të depozitojnë në fillim të vitit një shumë prej 50 mijë lekësh të reja pranë institucionit ku punojnë, për ta përdorur makinën me targë Z edhe gjatë fundjavave. Kategoria e dytë janë deputetët, zëvendësministrat, kryetarët e bashkive, prefektët, krerët e Enteve si dhe funksionarët e lartë të sistemit gjyqësor. Sipas projektligjit, ata që do të kenë makinat personale nuk do të kenë shoferë që paguhen nga buxheti i shtetit, por do t’u akordohet një bonos që varion nga 45 mijë lekë për çdo deputet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›