Një konflikt i shëndetshëm
Dritan Nelaj*
Ditët e fundit ka dalë në pah mosmarrëveshja midis Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit “Ismail Qemali” ndaj procesit të pranimit të studentëve për vitin akademik 2009-2010... Mosmarrëveshja nxitet nga një vendim i universitetit për të mos pranuar regjistrimin e maturantëve me mesatare nën 6. Një konflikt i tillë shënon një risi në zhvillimin e sistemit të arsimit të lartë, sepse ndoshta për herë të parë një universitet shtetëror, i cili vepron jashtë Tiranës, synon të përzgjedhë kandidatët të cilët do të studiojnë pranë këtij universiteti. Universiteti në fjalë po përpiqet të kontrollojë inputin, në këtë rast cilësinë e trupës studentore, e cila vlerësohet se ndikon ndjeshëm nivelin e cilësisë së procesit akademik dhe më pas cilësinë e produktit universitar. Në këtë pikë kuptohet qartë se Universiteti “Ismail Qemali” synon të përmirësojë parametrat akademikë të institucionit, me qëllim konkurrimin e universiteteve të Tiranës. Një prirje e ngjashme u vu re edhe disa kohë më parë kur senati i të njëjtit universitet mori vendim për ndryshimin e emrit zyrtar të institucionit me synim mbështetjen e strategjisë së universitetit për të zhvilluar një përmasë ndërkombëtare, e cila presupozon thithjen e studentëve dhe pedagogëve të huaj apo intensifikimin e projekteve të përbashkëta kërkimore me partnerë të huaj. Ky vendim u justifikua me faktin se emri Ismail Qemali nuk përkonte me synimin për të krijuar një imazh të universitetit tërheqës për tregun ndërkombëtar të studentëve dhe pedagogëve.
Përpjekja e stafit akademik dhe menaxherial të Universitetit “Ismail Qemali” për të krijuar prestigj të lartë me qëllim përmirësimin e pozicionit të universitetit brenda sistemit të arsimit të lartë vlerësohet si mjaft normale. Ndërkohë vërehet se qeveria shqiptare synon masivizimin e arsimit të lartë, me qëllim zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të ekonomisë në vend. Por synimi i masivizimit të shpejtë të sistemit duket se nuk mund të përmbushet në rast se çdo universitetet shtetëror përzgjedh vetëm kandidatët cilësor. Në një rrethanë të tillë kuotat e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave nuk do të plotësoheshin dhe për rrjedhoje shumë kandidatë të cilët nuk përkojnë me kriteret e veçanta të pranimit do të mbeteshin jashtë dyerve të universiteteve shtetërore. Në perspektivën afatgjatë një zhvillim i tillë do prodhonte hipotetikisht një sistem të arsimit të lartë, që do të karakterizohej nga një diferencim të universiteteve më elitar, të ndërmjetëm dhe masiv dhe për rrjedhojë ky vertikalizim i sistemit do të siguronte një shpërndarje më liberale dhe ndoshta edhe me efiçente të masës studentore. Konflikti tjetër, por kësaj radhe i nëndheshëm është synimi i çdo universiteti shtetëror që të vendosë vetë mbi masën e pranimit të studentëve të rinj. Çdo universitet do të dëshironte që të kontrollonte numrin e pranimeve të studentëve dhe shpërndarjen e tyre, me qëllim përshtatjen me strategjinë e institucionit. Por nga ana tjetër qeverisë i nevojitet të ndikojë si përcaktimin e masës së studentëve të rinj, por edhe shpërndarjen e tyre në degët e studimit. Kjo nevojë lind për shkak të përgjegjësisë së qeverisë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë dhe profesioneve në nivel kombëtar. Natyra dhe struktura aktuale e sistemit të arsimit të lartë nuk garanton ende harmonizimin e natyrshëm midis interesit të veçantë të një universiteti dhe politikave kombëtare. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse qeveria ndihet e detyruar që të ndërhyjë nëpërmjet mekanizmit të kontrollit të kuotave të pranimit për çdo universitet, fakultet dhe degë studimi.
Duke u kthyer në temën kryesore të këtij shkrimi, vihet re se ligji aktual i arsimit të lartë sugjeron se Ministria e Arsimit përcakton kriteret e përgjithshme dhe procedurat e pranimeve në universitetet shtetërore, ndërkohë që universitetet kanë të drejtë të përcaktojnë kritere të veçanta. Paradoksalisht mosmarrëveshja midis ministrisë dhe universitetit ka lindur për shkak se të dy këto institucione kanë respektuar kompetencat e tyre. Kriteri i përgjithshëm përfaqësohet nga binomi meritë-preferencë, i cili duke u kombinuar me kuotat e pranimeve të aprovuara nga Këshilli i Ministrave siguron shpërndarjen e kandidatëve në 11 universitetet shtetërore. Ndërkohë që senati i Universitetit “Ismail Qemali” ka përcaktuar si kriter të veçantë mospranimin e kandidatëve me notë mesatare më të vogël se 6-të. Nisur nga ky precedent, duket se nevojitet një harmonizim i kritereve për pranimin në shkollat e larta përpara se të fillojë procesi i aplikimit. Gjithashtu harmonizimi duhet të karakterizojë edhe marrëdhënien midis politikave kombëtare për arsimin e lartë dhe politikave të veçanta të universiteteve shtetërore. Ndaj lipset që synimet e qeverisë në nivel sistemi të zbatohen duke marrë në konsideratë politikat individuale universiteteve, të cilat në fakt duhen shprehur në planet e zhvillimit të institucionit të cilat aktualisht duket se mungojnë. Drejtimi i ri i Ministrisë së Arsimit pritet që të sigurojë zbatimin e suksesshëm të politikës së zgjerimit të arsimit të lartë dhe kjo jo nëpërmjet ndëshkimit të lidershipit të universitetit, por nëpërmjet instrumenteve modernë të nxitjes, të cilat trupëzohen në formulën e financimit shtetëror të universiteteve. Dialektika midis synimit të lidershipit të Universitetit “Ismail Qemali” për të rritur prestigjin e institucionit dhe synimit të qeverisë për të zgjeruar kapacitetet e sistemit me qëllim përthitjen e një numri më të madh studentësh zbulon një të re përgjatë procesit të zhvillimit të sektorit. Konkurrenca dhe diferencimi midis universiteteve bazuar në prestigj dhe cilësi përbën një nga tiparet më të përparuara të një sistemi kombëtar të arsimit të lartë. Prandaj dhe konflikti i sotëm midis Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të “Vlorës” paralajmëron një sistem modern të arsimit të lartë nesër.
*M.Phil në Arsimin e lartë