E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, 30 mijë prostituta shqiptare në Evropë

 

Rreth 30 mijë vajza shqiptare prostituojnë në rrugët e Evropës. Fenomeni mbetet plagë e shoqërisë sonë dhe të gjithë aktorët institucionalë duhet të marrin masa për ta luftuar. Këtë mesazh dha dje Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona McIlwham, me rastin e shfaqjes së filmit të animuar "Dy Vajza". Filmi ndërgjegjëson fëmijët mbi rreziqet e rënies viktimë e trafikimit. Ai është prodhuar me mbështetjen e Organizatës Britanike, Womankind. Filmi bazohet në eksperiencën reale të disa grave shqiptare, të strehuara në një qendër për gratë e trafikuara, në Londër. "Trafikimi i njerëzve është një krim i tmerrshëm. Është abuzim i të drejtave individuale dhe shfrytëzim i më të dobëtit - duke përfshirë edhe fëmijët", tha McIlwham. Ambasadorja theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për të punuar me autoritetet shqiptare, për të luftuar të gjitha format e krimit të organizuar. "Ky projekt është një shembull shumë i mirë se si shoqëria civile mund të angazhohet dhe të ndihmojë për të sjellë ndryshim", tha ambasadorja. Studimet e ndërkombëtarëve tregojnë se të paktën 60% e shqiptarëve të trafikuara për prostitucion janë të mitura. Më shumë se gjysma e tyre janë mashtruar dhe me shumë se një e treta janë rrëmbyer. Nga të dhënat rezulton se janë rreth 30,000 prostituta shqiptare në vende të tjera. Deri në 90% e vajzave mbi moshën 14 nuk ndjekin më shkollën në disa zona rurale, dhe një nga shkaqet e konsiderueshëm është frika nga trafikimi. Qëllimi i filmit "Dy Vajza" është të arrijë tek fëmijët ende në shkollën fillore. Filmi jep mesazhe serioze në një format të animuar, që është i kuptueshëm dhe tërheqës për fëmijët. Aktiviteti i sotëm u bë tek Akademia e Filmit Marubi, si pjesë e Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut, në Tiranë.
Aktiviteti u organizua nga Womankind, UNICEF dhe Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin. Sipas raporteve ndërkombëtare , varfëria renditet si një ndër shkaqet kryesore që nxit trafikimin. Po ashtu, pozicioni i ulët i femrës, deri diku edhe diskriminimi i tyre, e bën Shqipërinë një vend jo të përshtatshëm dhe të dëshirueshëm për të ndërtuar jetën e tyre. Ndër faktorët e tjerë renditen edhe niveli i ulët i arsimimit dhe pamundësia për të ndihmuar financiarisht familjet e tyre të varfra. Të joshur për një jetë më të mirë; "viktimave" iu ofrohet një pagë më e mirë, një standard jetese më i lartë, kushte pune të favorshme, mundësi arsimimi dhe shumë gjëra të tjera, të cilat bëhen shkas për të future në grackë me qindra e mijëra femra të moshave të ndryshme, të cilat shfrytëzohen seksualisht rrugëve të qyteteve evropiane. "Në pjesën më të madhe të rasteve janë burrat që rekrutojnë viktimat e trafikut dhe në një numër të papërfillshëm, janë gratë", - thuhet në studimet e organizatave të huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›