E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Nuk ka pasur takim Meta-Berisha, do jetë në kohën e duhur

 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur poshtë lajmin e dhënë dje në disa media, për një takim mes kryetarit të saj Ilir Meta dhe Kryeministrit Berisha, në një nga vilat qeveritare në qytetin e Pogradecit. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, tha dje se “negociatat do të jenë transparente, të hapura, në kohën dhe në momentin e duhur”. Konventa e jashtëzakonshme kombëtare e LSI-së një javë më parë vendosi mandatimin e Ilir Metës të nisë negociata me Kryeministrin Berisha për qeverinë e re dhe rolin e LSI-së në këtë qeveri. Por animimet në KQZ nga partitë politike, kryesisht PS, kanë bërë që këto negociata të mos nisin pa certifikuar rezultatin e zgjedhjeve pas përfundimit të këtij procesi, ndërkohë që qeveria vazhdon aktivitetin e saj. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i pyetur lidhur me kërkesën e PS-së për rinumërimin e votave në Berat, Shkodër dhe Tiranë, u shpreh se “ne do të respektojmë vendimin e KQZ-së, si institucion ligjor i ngritur me konsensusin e PD dhe PS”. LSI shprehu dje shqetësimin e saj në lidhje me sezonin turistik që sapo ka nisur dhe vëmendjen që qeveria duhet të tregojë për këtë prioritet të ekonomisë shqiptare. Petrit Vasili tha dje se “turistët duhet të jenë sot në qendër të vëmendjes së shtetit shqiptar, sepse ai duhet të garantojë sot për ta një Shqipëri që duhet të jetë shtëpia e madhe turistike për të gjithë. Sot pushteti lokal dhe ai qendror duhet të bashkëveprojnë më intensivisht se kurrë dhe në sinkron të plotë dhe shërbimet publike që ofrohen duhet të jenë sot në maksimumin e eficencës së tyre. Shërbim shëndetësor, shërbimet e furnizimit me ujë, me energji elektrike, dhe të pastrimit të mbeturinave duhet të jenë në efiçiencë të plotë dhe nuk mund të tolerohet asnjë lloj apatie dhe papërgjegjshmërie, sepse dëmi që mund të shkaktohet nuk mund të japë pasoja vetëm për këtë vit turistik, por edhe për vitet që vijnë pas për arsye të imazhit negativ që mund të krijohet”, u shpreh Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›