Haradinaj uron Berishën: Fitorja e zgjedhjeve do çojë përpara reformat
Kryeministri Sali Berisha ka marrë një telegram urimi nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare. Zyra e shtypit e Kryeministrit shqiptar, njofton se në urimin e tij Haradinaj shprehet se me këtë fitore reformat e nisura do të shkojnë edhe më përpara. “Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më lejoni t’ju uroj për fitoren e së djathtës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. AAK dhe unë personalisht konsiderojmë se fitorja e koalicionit të djathtë do të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e mëtutjeshëm të reformave të nisura në Shqipëri, si dhe përgatitjen e vendit për integrimet evropiane”, shprehet Haradinaj. Sipas tij, këto zgjedhje treguan rritje të demokracisë në vend dhe se përmes tyre janë respektuar parimet demokratike. “AAK uron të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen masive në këto zgjedhje si dhe për një mbarëvajtje të admirueshme gjatë gjithë procesit zgjedhor. AAK është e bindur se Shqipëria me këtë nivel të zgjedhjeve të lira dhe demokratike ka dëshmuar se është vendi i cili respekton parimet demokratike dhe është e gatshme për t’iu bashkangjitur familjes së madhe të Unionit Evropian”, shprehet në urimin e tij kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ish-komandanti legjendar i UÇK-së, shpreson se këto nivele dhe procese demokratike do të ndihmojnë dhe Kosovën të ecë më shpejt drejt rrugës evropiane të saj. Ai shprehet i bindur se kjo fitore e koalicionit të djathtë në Shqipëri, do të ndihmojë dhe në triumfin e së djathtës në Kosovë. “AAK është e bindur se ky proces zgjedhor, i cili ka përshkruar një nivel të lartë të demokracisë, do të ndihmojë edhe Republikën e Kosovës për proceset demokratike dhe zgjedhore që e presin përpara. AAK beson se së shpejti edhe në Kosovë do të triumfojë e djathta”, shprehet Haradinaj.