Vasili: Sistemi shëndetësor ka shënuar transformim

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka deklaruar sot se sistemi shëndetësor ka shënuar një transformim të thellë. Duke folur në aktivitetetin e organizuar për kequshqyerjen tek fëmijët, ministri Vasili theksoi se transformimi i sistemit të shëndetësisë është afatgjatë për të bërë të mundur edhe përmirësimin e vazhdueshme të shërbimeve ndaj publikut.
“Ne ecim në një rrugë të sigurtë, me praktikat më të mira të rekomanduara edhe nga organizatat botërore dhe u sygjerojmë shqiptarëve më të mirën që shkenca na ofron për momentin. Orientimi dhe shinat që ecën ky sistem janë shinat e një transformimi afatgjatë, ku të gjithë elementet duhet t`i vëmë në shërbim të publikut. Ne nuk bëjmë reforma për të mbushur boshllëkun intelektual dhe formues të dikujt. Jemi këtu që këto reforma të shkojnë për qytetarët” ka theksuar Vasili.
Sipas ministrit Vasili, aksioni transformues ka konsistuar në infrastrukturë, në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve, në teknologji etj. “Transformime janë kryer sa i përket menaxhimit të sigurimeve shoqërore, i spitaleve, i politikës mbi barnat dhe mbrojtjen e cilësisë së tyre nga shteti. Ne kemi qënë të qetë në aksion tonë transformues pasi partnerët tanë prej vitesh janë këtu duke filluar nga OBSH-ja e deri tek UNICEF-i. Gjithçka është zhvilluar në një kontekst europian dhe vlerësimet nuk kanë munguar nga partnerët tanë ndërkombëtar” ka theksuar Vasili.