Vasili: Vlora përmirësime, në Tiranë 3 vajza në rrezik për jetën
Pacientet e tragjedisë së Himarës, të cilat po trajtohen në spitalin e Vlorës shumë shpejt do të përgatiten për të lënë spitalin pasi situata e tyre është përmirësuar, ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku vazhdon të jetë në gjendje kritike jeta e tre vajzave. Të dhënat janë konfirmuar për Ora News nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili shpjegoi se tre vajzat ndodhen në gjendje komoze, ku dy prej tyre vazhdojnë të mbahen me frymëmarrje artificiale.
“Në Spitalin Ushtarak është problematike gjëndja e 3 vajzave, janë në gjendje komatoze, ku 2 prej tyre mbahen me frymëmarrje artificiale. 12 të tjerat janë jashtë rrezikut për jetën. Është azhornim i freskët, të dhëna këto vetëm gjysëm ore më parë. Ndërsa në Vlorë përgjithsisht situata është e qëndrueshme dhe në përmirësim, po mendohet që shumë shpejt disa prej tyre të lënë spitalin, por kemi rekomanduar të qëndrojnë në spital për kalimin edhe të traumave psikologjike.Situata ka marrë për mirë si në Tiranë ashtu dhe në Vlorë” tha ai.
Ndërkaq Vasili theksoi se është në kontakte intensive për transportimin jashtë vendit të tre pacienteve për një ndihmë edhe më të specializuar, ndërsa shtoi se po punohet paralel nga ekipi mjekësor në Spitalin Ushtarak për mbajtjen e parametrave jetësorë vitalë.
Po kështu në një raportim për mediat mjeku roje i Spitalit Ushtarak Rasim Madani bëri një panoramë të situatës së pacientëve.
“Janë 14 raste, 3 janë në gjendje më të rëndë pasi kanë pësuar dëmtime në mëlci, shpretkë dhe shtyllë kurrizore. Gjendja është e stabilizuar momentalisht, pritet të kemi përmirësime të tyre. Ndërkaq 3 pacientet që ndodhen në gjendje më të rëndë pritet të dërgohen jashtë vendit për shërbim më të specializuar” deklaroi Madani.