Tragjedia në Himarë, Baroso mesazh ngushëllimi Topit

Kryetari i KE-së, Zhoze Manuel Baroso përmes një mesazhi i ka përcjellë ngushëllimet Presidentit Topi për aksidentin tragjik në Himarë, ku humbën jetën 13 persona. Në mesazhin e tij ai shkruan:
"I dashur Z. President,
Mësova me trishtim për aksidentin rrugor tragjik, i cili ndodhi dje pranë Himarës, ku humbën jetën 13 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
Në emër të Komisionit Evropian dhe në emrin tim personal, më lejoni t`ju përcjell ngushëllimet tona të sinqerta dhe shprehjen e simpatisë sonë më të madhe si dhe solidaritetin me familjet e të gjithë viktimave.
Ju lutem pranoni, i dashur Z. president, shprehjen e konsiderates Sime më të lartë”shkruan ai.
Më herët delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, kanë shprehur ngushëllimet lidhur me aksidentin e djeshëm rrugor.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Shefat e Misioneve te Bashkimit Evropian në Shqipëri, dëshirojnë t`u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të aksidentit rrugor tragjik që ndodhi dje në Himarë. Dëshirojmë t`u shprehim simpatinë tonë më të ndjerë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre dhe t`iu urojmë të plagosurve shërim të plotë dhe të shpejtë" thuhet në deklaratën e ambasadorëve të BE-së në Tiranë.