Asetet kombëtare, në shënjestër të sulmeve antishqiptare të kreut të PS

PD dënon sulmet e Edvinit ndaj Institutit të Statistikave, duke e cilësuar deklaratën e djeshme si agresion “ndaj aseteve më të vyera të kombit” dhe që kërkon “t’i lerë shqiptarët pa viza”
Partia Demokratike dënon tendencat destruktive të kryesocialistit në largim, Edvin Kristaq Rama, për të mohuar të vërtetën e të dhënave të INSTAT, mbi punësimin e shqiptarëve, rritjen ekonomike dhe reformat e qeverisë në sektorët më të rëndësishëm financiarë të vendit.
Deputeti demokrat Florjon Mima, u shpreh se qëllimi i vetëm i kryesocialistit në detyrë është të vrasë një nga asetet më të vyera të kombit, për të shtrembëruar arritjen e qeverisë në punësimin e shqiptarëve dhe progresin ekonomik.
“Dje zoti Rama tentoi të vriste një nga asetet më të vyera të këtij kombi, besueshmërinë dhe vërtetësinë e të dhenave zyrtare të prodhuara në mënyrë të ndershme, të ligjshme dhe transparente nga një trup i pavarur, profesionist dhe me integritet Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë. Kjo pavarësi dhe kjo besueshmëri e ngritur prej shqiptarëve në 20 vite pune, mund e djersë dhe e certifikuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtare, tentohet të dhunohet të ç’bëhet e të varroset prej njeriut që ka fobi shifrat, prej njeriut që kurrë nuk arriti të kuptojë së nuk është faji i institutit që të ardhurat për frymë të popullsisë kanë shkuar mbi 4 mijë dollarë, nuk është faji i Institutit që eksportet po dyfishohen, nuk është faji i institutit që punëzënia po rritet dita-ditës dhe papunësia po zbret. Faji është i një njeriu të vetëm që do t’i shohë shqiptarët pa viza, pa punë dhe pa mirëqenie”, u shpreh deputeti Mima.
Sipas tij, Rama kërkon të intimidojë punonjësit e këtij institucioni, t’i ndrydhë e t’i frikësojë ata.
“U themi punonjësve të sistemit statistikor në Shqipëri të mos dekurajohen, të mos intimidohen, dhe të mos sugjestionohen nga paditë e të paditurit. Ata të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre dhe integritet dhe profesionalizëm, pasi në krah kanë ligjin dhe vetëm ligjin”, tha më tej, deputeti demokrat, duke shtuar se “puna e tyre materializohet vetëm në një rezultat që është pronë e popullit shqiptar dhe përbën certifikatën më të mirë përballë gjithë pjesës tjetër të botës”.
Reagimi i selisë blu vjen pas sulmeve prej disa ditësh me radhë të Xhelilit të PS-së dhe hispanikëve të tij në selinë ylberiste, ndaj Institutit të Statistikave, sepse gjithmonë e më tepër po u fakton shqiptarëve shifra që sipas tij, nuk përbëjnë vërtetësinë.
Por, ndaj një instituti të pavarur dhe tejet efiçent, Edvini apo Xhelili i PS-së nuk do ia dalë dot të nëpërkëmbë besueshmërinë e progresit të vendit dhe reformat e qeverisë “Berisha”.
Reagon edhe INSTAT
Raportet dhe konkluzionet janë të monitoruara nga FMN e KE, politika të ndalë sulmet
Instituti i Statistikave reagoi dje pas akuzave të vazhdueshme nga ana e Partisë Socialiste, duke theksuar se ky institucion është i pavarur dhe se monitorohet nga ndërkombëtarët.
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, tha se Instituti Kombëtar i Statistikave INSTAT, prodhon të dhëna dhe rezultate statistikore mbi bazën e një metodologjie të certifikuar nga institucionet ndërkombëtare, të cilat monitorojnë punën e INSTAT.
Ajo argumentoi se puna e INSTAT është e vlerësuar maksimalisht nga dy institucionet ndërkombëtare FMN dhe KE, të cilët monitorojnë aktivitetin e këtij institucioni me imtësi gjatë gjithë vitit.
“Ftoj të gjithë drejtuesit, analistët, apo cilido tjetër individ që hedh dyshime mbi shifrat që në prodhojmë që përpara se të bëjë deklarata të pamatura dhe që cenojnë imazhin e INSTAT si dhe vendit tonë përballë publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë të vijnë në INSTAT dhe të shohin shifrat metodologjinë e përdorur dhe çdo gjë tjetër që ata kanë nevojë për tu qartësuar mbi realitetin e shifrave që INSTAT prodhon”, tha Nurja.
Duke evidentuar vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare për punën e INSTAT, Nurja nënvizoi se, “në deklaratën e misionit të fundit të FMN-së thuhet se “Statistikat Makroekonomike janë thelbësore për politikë bërjen kompetente si dhe për të rritur besimin e investitorëve”. “Instituti Kombëtar i Statistikave INSTAT ka bërë përparim të dukshëm gjatë viteve të fundit, për shembull, duke filluar që të publikojnë llogaritë tremujore kombëtare si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së tyre”, deklaroi më tej, Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja.
...