E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria, spitali më i varfër dhe më problematik në QSUT



Emanuela Sako

Spitali i Pediatrisë në QSUT mund të konsiderohet si më i varfëri ndër të gjithë të tjerët. Shkak për krijimin e kësaj situate janë bërë mungesa e kushteve në dhomat e shtrimit, mungesa e aparaturave apo medikamenteve. Mjekët e pranojnë situatën duke u shprehur se është përgjegjësia e Drejtorisë së QSUT-së dhe e Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për funksionimin normal të spitalit më të madh në vend për kurimin e fëmijëve. Të vegjlit kurohen në kushte skandaloze, ku shtretërit janë të pajisur me materiale të vjetra dhe muret të mbushura me njolla të mëdha në çdo kënd. Më problematike janë dhomat e shtrimit të fëmijëve të operuar, ku për vetë llojin e sëmundjes, kushtet e ofruara më tepër shkaktojnë probleme, sesa shërbejnë për të kuruar.
Dhomat
Në katin e dytë të Pediatrisë ndodhen të gjithë fëmijët që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Por, pasi ata dalin nga salla e operacionit, vjen situata më e vështirë për ta. Shtretërit kanë susta të rëna, ku një i operuar nuk mund të qëndrojë shtrembër në një shtrat, por duhet që pacienti të ketë një ekuilibër në qëndrimin e trupit. Kjo përbën problem serioz për mbarëvajtjen e gjendjes shëndetësore dhe shërimin sa më të shpejtë të plagës së operacionit. Prindërit shprehen se janë tepër të shqetësuar për këtë situatë dhe se nuk kanë mundësi që të sjellin edhe shtretërit në spital, pasi pajisjet e tjera, si çarçafët, batanijet apo mjetet e ngrohjes, i kanë siguruar nga familja. Po të vëresh një dhomë shtrimi në pavijonet e Pediatrisë, të gjitha pajisjet që ndodhen brenda saj janë të vjetruara dhe jashtë kushteve të përdorimit.
Situata
E njëjta situatë është edhe me medikamentet, të cilat mungojnë pothuajse gjatë gjithë kohës. Bluzat e bardha tregojnë se ende është tepër e vështirë që gjendja në QSUT të ndryshojë. Mjekët e Pediatrisë shprehen se mungesat janë tepër të theksuara dhe tenderimi i disa medikamenteve duhet të kishte përfunduar, ndërsa për një pjesë e tyre duhet të kishte filluar shpërndarja. Por, situata e vazhdueshme gjatë gjithë këtij viti është vështirë të kapërcehet, pasi nuk do të jetë e mundur që të zëvendësohen të gjitha aparaturat dhe të bëhet tenderimi dhe shpërndarja në kohë e të gjitha medikamenteve. Për përballimin e situatës do të duheshin fonde tepër të mëdha, që t’i jepej fund “ngërçit” të krijuar në QSUT. Spitalet përballen çdo ditë me mungesa të medikamenteve të ndryshme, pasi jo të gjitha medikamentet janë tenderuar.

Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3 me një laborator të ri

Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3 do të pajiset me një laborator të ri. Laboratori do të ofrojë kushte më të mira të kryerjes së analizave të ndryshme që bëhen në poliklinika. Ambientet ku do të jetë laboratori tashmë janë gati përsa i përket hapësirës dhe konstruktit të saj. Ndërsa pajisjet pritet të shpërndahen nga Ministria e Shëndetësisë. Burime nga kjo poliklinikë bëjnë të ditur se janë dërguar 3 shkresa zyrtare, ku është kërkuar blerja e pajisjeve dhe aktualisht është marrë përgjigjja pozitive. Por ende nuk dihet se kur do të jetë afati i fundit për marrjen e pajisjeve të reja për laboratorin. Megjithatë, për një pjesë të madhe të shërbimeve që janë të domosdoshme të ofrohen, thuhet se do të vijnë së shpejti. Poliklinika Nr.3 i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, ku është bërë organizimi i duhur i ambienteve që nevojiten për kryerjen e vizitave. Aktualisht, në këtë poliklinikë punojnë 3 mjekët të specialiteteve të ndryshme në një dhomë, për shkak të kryerjes së punimeve.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›