E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISH-studentët e Gazetarisë i kërkojnë Ministrisë diplomë, jo certifikatë



Ish-studentët e Gazetarisë, të cilët i kanë mbaruar një vit më parë studimet me sistemin e Bolonjës, janë të vendosur për të mos i tërhequr diplomat. Për këtë arsye ata kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit të pajisen me diplomë, dhe jo certifikatë. Dje në mesditë, të mbështetur edhe nga Unioni i Gazetarëve, ata kanë zhvilluar një konferencë për shtyp përpara Korpusit Qendror të Universitetit të Tiranës. Në këtë konferencë ata kanë kërkuar sërish që të pajisen me diplomë të rregullt, e cila të përmbajë të gjitha elementet e një diplome të mirëfilltë universitare, si titullin, në rastin konkret “Gazetar apo specialist i medias”, emrin e fakultetit si dhe të jetë në formë kartoni si diplomat e brezit të parë të Bolonjës në Gazetari. Gjithashtu, studentët kanë kërkuar mirëkuptimin e Ministrisë së Arsimit për zgjidhjen e këtij problemi, që sipas tyre po u rrezikon të ardhmen. “Kërkojmë të vihemi në dijeni sa më shpejt për hapat që do të ndërmarrë Ministria. Në rast të kundërt, ne studentët e Gazetarisë, të solidarizuar edhe nga studentët e tjerë, do të ndjekim hapat e tjerë demokratikë deri në zgjidhjen e këtij problemi”, - citohet në deklaratën e studentëve. Por reagimi i Ministrisë së Arsimit thotë se kjo formë e emërtimit të diplomës krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesional. Krahas diplomës çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›