MASH-i dhe Korpusi i Paqes nënshkruajnë dy Memorandume për arsimin
Ministria e Arsimit ka nënshkruar dje dy Memorandume Mirëkuptimi me Korpusin e Paqes. Këto dy memorandume kanë të bëjnë me mësimdhënien e gjuhës angleze dhe edukimin shëndetësor në shkolla. Hill Denham, drejtor i Korpusit të Paqes, u shpreh se është shumë e rëndësishme që nxënësit të mësojnë anglisht nga mësues që këtë gjuhë të huaj e kanë gjuhën e nënës. Korpusi i Paqes i ka pajisur shkollat edhe me metoda të anglishtes për të mësuar në mënyrë interaktive. Ndërsa përsa i përket Memorandumit të dytë, Denham u shpreh se mesazhi kryesor i këtij edukimi është parandalimi i sëmundjeve. Memorandumi i parë i Mirëkuptimit ishte një rinovim e Marrëveshjes midis dy institucioneve, nënshkruar në vitin 2003, e cila autorizon vullnetarët e Korpusit të Paqes të punojnë në shkollat e mesme dhe universitetet, si mësues apo trajnerë të mësuesve në departamentet e gjuhës së huaj angleze të këtyre institucioneve. Kurse Memorandumi i dytë ishte një marrëveshje e re midis MASH-it dhe Korpusit të Paqes për programin e këtij të fundit, për edukimin e nxënësve ndaj shëndetit. Kjo marrëveshje do t’u japë akses vullnetarëve të Korpusit të Paqes të punojnë në shkollat bazë dhe të mesme mbi projektet e lidhura me shëndetin. Qëllimet kryesore të këtyre dy memorandumeve, ndër të tjera janë: mësimdhënia e gjuhës angleze për të zhvilluar mendimin kritik; rritja e aftësive të mësuesve në gjuhën angleze; ideimi dhe vlerësimi i aktiviteteve të edukimit shëndetësor; rritja e njohurive dhe aftësive të edukatorëve të shëndetit në transmetimin e informacionit edukativ shëndetësor; përmirësimi i aftësive menaxhuese dhe planifikuese të edukatorëve të shëndetit etj.
24 Janar 2009