E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaso Tole: “Heqja e Festivalit nga Vlora, një gafë e madhe”

DEBATI/ Pango e zhvendos pa arsye Festivalin e Isopolifonisë nga Vlora në Berat. Drejtori i Qendrës Kulturore në Vlorë: “Do ta bëjmë festivalin me fondet e Bashkisë”

Petrika GROSI
Festivali i Isopolifonisë, që zhvillohet me rastin e festave të nëntorit në qytetin e Vlorës, nuk do të mbështetet këtë vit nga Ministria e Turizmit dhe e Kulturës. Çuditërisht, ministri Pango kësaj here ka vendosur që ky festival të zhvendoset në Berat, në kohën kur Vlora është qendra më e madhe e Labërisë, që përfaqëson Isopolifoninë dhe ka përgatitjet e duhura për këtë festival. Drejtori i Qendrës Kulturore të Vlorës, Istref Dobi, e ka quajtur si një absurd të radhës këtë vendim të MTKRS-së, e cila nuk ka dhënë asnjë sqarim për shpërnguljen e festivalit nga Qendra e Isopolifonisë të Vlorës drejt Beratit. “Pavarësisht kësaj, ne do ta zhvillojmë festivalin në Vlorë me fondet e Bashkisë, sepse është një traditë e jona”, - thotë ai, duke shtuar më tej se “edhe më parë janë bërë tentativa të tilla, si në vitin 2002 apo 2006”.
Kontaktuam me një nga specialistët më të njohur të fushës, studiuesin dhe muzikologun Vaso Tole dhe e pyetëm mbi këtë përplasje për të marrë një mendim më të specializuar. Edhe sipas zotit Tole, festivali duhet të zhvillohet për shumë arsye vetëm në Vlorë. Zhvendosja e festivalit në Berat është një vendim i nxituar, i pabazuar, një gafë e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës, e cila shkatërron traditën dhe dëmton një festival të rëndësishëm. Ja si do të shprehej Vaso Tole për këtë çështje: “Festivali duhet të bëhet në Vlorë, sepse kështu është vendosur në statutin e festivaleve tipologjike. Qëllimi i këtij festivali nuk është që të jetë shëtitës, por ngultësor. Pra, mund të lëvizin koncertet në kuptimin e një turneu, por jo të lëvizësh bazën e një festivali. Jo vetëm është e papranueshme, por një gjë e tillë dëmton rëndë të ardhmen e këtij festivali sepse specialistët e Bashkisë së Vlorës dhe të Qendrës Kulturore të Vlorës, prej shumë vitesh u trajnuan për të qenë bashkëpunues për këtë çështje. Kjo nuk do të thotë që në Berat një organizator të mos bëjë një festival, por jo duke prishur atë që tashmë është traditë në Vlorë. Vlora nuk u zgjodh rastësisht për ta organizuar këtë eveniment. U zgjodh sepse është prefektura, ose baza më e rëndësishme e qarkut të Labërisë dhe kjo gjë ruan raportet. Në Korçë bëhen sazet, në Gjirokastër festival folklorik. U provua një zhvendosje e Festivalit të Gjirokastrës në Berat dhe problemet që lindën më pas ishin të jashtëzakonshme. Kjo qe dhe arsyeja që ky festival u rikthye në Gjirokastër, jo se ishte i Gjirokastrës, por sepse Gjirokastra ishte vendi i duhur dhe më i përshtatshmi për të. Pra le të qarkullojnë koncertet, por jo strukturat e festivaleve”.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›