55 vjet opera shqiptare
Zhani CIKO
Për një vend si yni, që për arsye të zhvillimeve historike të njohura tani do të festojë 100-vjetorin e vendosjes së alfabetit, krahas 55 - vjetorit të krijimit të Teatrit shqiptar të Operas dhe Baletit është pa dyshim tregues i fortë i etjes kulturore të shqiptarëve, i ëndrrës së gjatë 500–vjeçare për t’u kthyer te pavarësia dhe përkatësia gjenetike europiane. 40 vjet i ndajnë këto ngjarje, atë të Shpalljes së Pavarësisë me krijimin e një teatri operistik. Nuk është asgjë në pikëpamje të zhvillimeve historike, por për këto 40 vite kulturë muzikore shqiptare, që i ka rrënjët moderne te epoka e rilindjes, kaloi nga të mësuarit shqip te kënga patriotike, dhe nga këngëtarët e parë lirikë, që interpretuan këngët popullore, te krijimi i institucionit më të lartë muzikor, si dhe i gjinive së operas dhe baletit shqiptar, madje kjo inkludon edhe krijimin e një sistemi shkollimi muzikor adekuat të të gjitha niveleve. Për fat, jo çdo periudhë historike ka qenë e harmonizuar me interesat e zhvillimeve kulturore të vendit dhe në këtë rast të një institucioni të tillë si Teatri i Operas. Nëse vitet para Luftës së Dytë mbërritën që të sjellin edukimin muzikor të një brezi artistësh të konsideruar “pionierët e muzikës”, kryesisht këngëtarë, përpunues, krijues dhe pak instrumentistë, pas Luftës u synua ngritja e trupave që përgatitën institucionin si kori, orkestra, trupa e baletit. Prurje artistësh të shkolluar jashtë kompletuan brezin e dytë të solistëve lirikë, ndërsa të parët iu përkushtuan pedagogjisë dhe krijimit të Konservatorit. Gjithçka po shkonte normalisht, krahas zhvillimeve shoqërore. Por brutaliteti me të cilën filloi pak nga pak izolimi politiko-kulturor i vendit ishte i pari kontrasens që i vuri frenë zhvillimit dhe të Teatrit të Operas, edhe pse për konformizëm kjo u imponua duke shkaktuar një largim të ngadaltë, por tepër të gjatë nga ecja përpara, plotësimi i prapambetjes historike dhe zhvillimi i shijeve artistike, estetike si të artistëve, ashtu dhe të publikut. Breza artistësh të talentuar, që mund të kishin qenë me kohë në atë skenë ku sot performojnë më të mirët e shqiptarëve, e kufizuan artin e tyre, nuk mundën të japin tërë atë çka dispononte talenti i tyre. Në këtë vështrim, ata, megjithëse të elozhuar nga pushteti, janë po kaq të humbur sa dhe ata që u anatemuan dhe vuajtën trajtimin njerëzor të sistemit. Janë të shumta episodet tragjike, por dhe komike në kronikën e përditshme të këtij institucioni dhe për të gjitha këto, rruga e zhvillimit të Operas dhe Baletit shqiptar është krejt e ndryshme dhe e veçantë nga çdo vend tjetër. Kushdo që nuk niset nga këto realitete, nuk mund të kuptojë zhvillimet e sotme. Sepse TKOB sot është i ndryshëm sepse produkti që ai krijon në kulturën shqiptare përmban parametrat estetike dhe artistike shumëdimensionale. Kjo buron nga politika dhe strategjia kulturore e sistemit demokratik krejt të ndryshëm, liria krijuese në të gjitha drejtimet dhe inserimi përherë e më shumë në parametra europiane, sigurisht ende jo në nivelet më të larta. Jashtë kësaj, të synosh të shkatërrosh çdo strukturë “klasike” të trashëguar dhe jashtë realiteteve sociale e kulturore shqiptare do të jetë rrënim dhe jo rikonstruksion për parametra bashkëkohore. Zhvillimi i tërësishëm i vendit me ato që konsiderohen zhvillime prioritare do të tërheqë pas për mirë edhe këtë monument të gjallë të kulturës përfaqësuese të etnitetit dhe bashkëkohësisë së shqiptarëve kudo ku ata janë. Gjermanët dhe anglezët i quajnë teatrot e operas, shtëpia e operas, (Operhause). Më ka pëlqyer hershëm ky përcaktim ka diçka të ngrohtë në të, sikur shmang atë ndrojtje që imponojnë natyrshëm këto ndërtesa disi tempullore e të madhërishme që janë teatrot importante operistike. “Shtëpia e Operas dhe Baletit” së pari për artistët që jetojnë në të dhe për të cilët punon gjithë ngrehina artistiko – administrative e institucionit, kjo dhe për “të rinjtë” që e përtërijnë dhe i sigurojnë jetëgjatësinë. “Shtëpia e Operas dhe Baletit” për të gjitha talentet e racës shqiptare. Ata që na nderojnë dhe kanë gjetur avenirin individual profesional në botë dhe për këtë gëzojnë respektin e të gjithëve. Jashtë çdo ambicieje nga individë të veçantë, shtëpia jonë është kthyer tashmë pakthyeshmërisht drejt tyre, ata janë prezentë si kurrë ndonjëherë tek ne. Publiku i mirëpret si bij të dashur, madje ne programojmë edhe evenimente në funksion të zhvillimit të aftësive të tyre të mëtejshme dhe interesit të karrierës së tyre. Mjafton të gjejnë kohën që kanë për ne ose në raste të veçanta të begenisin të jetojnë si dhe ne në shtëpinë e vjetër atërore, pa e quajtur sakrificë se ende nuk jemi në kushte ideale. “Shtëpia e Operas dhe Baletit” i konsideron të njëjtë dhe talentet shqiptare jashtë kufijve administrativë. Ne kemi mbështetur që në fillim, tani dhe në të ardhmen, madje kemi qenë entuziastë të thekur të zhvillimeve institucionale në Kosovën e pasluftës e aq më tepër tani në Kosovën e pavarur. Mirëpresim çdo talent që troket në derën tonë, ftojmë dhe ata të ndrojturit që presin që ne t’i gjejmë dhe na vjen shumë mirë që jemi pjesë aktive e strukturave shtetërore të harmonizuara më së miri në këtë drejtim. Shtëpia e operas dhe baletit aktualisht e ka kapërcyer etjen për t’u vizituar nga ndonjë artist i huaj. Kaloi edhe koha kur habiteshim nga takimet me ta apo i shihnim si idhuj nëpër juri apo vizita demonstrative. Tashmë, produksione të tëra që arrihen me bashkëpunime institucionale. Artistë të ndryshëm profesionistë, madje dhe të batelijeve që përveshin krahët duke punuar natë e ditë, madje dhe “turn të tretë” në skenën tonë. Transporte ndërkombëtare trajlerash dhe kostume që vijnë nga San Francisko nëpërmjet Firences për në shtëpinë shqiptare të operas janë principer dhe realizimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe multikulturore që sjellin integrimin konkret e të gjallë, ndihmesën dhe solidaritetin artistik mes atyre që punojnë e kanë ambicie progresin e shpejtë dhe shumë institucione në botë që nuk rrinë të zbulojnë hapësirën e protokolleve të vjetruara në sirtarë apo thjesht leverditë materiale. Rikompensimi përmes vlerave artistike të krijuara nga bashkëpunimi, ja cila është karta jonë “nën mëngë”, që i bën ata që vijnë me gjithë vështirësitë, pagesat e papërfillshme dhe shërbimet hoteliere modeste të presin thirrjen e ardhshme.
23 Nentor 2008