E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: Dajti po trajtohet si të gjithë të tjerët

Të arrestuarit i mohohen ushqimet e dërguara nga familja pasi ekziston rreziku i helmimit të të paraburgosurit


TIRANË- "Shtetasi Dritan Dajti po trajtohet si të gjithë të arrestuarit e tjerë. Ndaj tij janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore, duke e konsultuar atë me të gjithë specialistet e nevojshëm që kanë kontribuar për gjendjen e tij, tashmë të mirë shëndetësore". Kështu deklaroi dje për "Shekullin" drejtori i Spitalit të Burgut në kryeqytet, z.Ylber Vata, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e avokatit Arben Qeleshi dhe bashkëshortes së të arrestuarit Dorela Dajti. Sipas tij, "që nga momenti i shtrimit të shtetasit Dritan Dajti në Qendrën Spitalore të Burgut, ai i është nënshtruar një ekzaminimi të gjerë mjekësor, duke e konsultuar atë me të gjithë specialistët e nevojshëm që punojnë pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore, institucioni i burgut ka sjellë në dhomën e të arrestuarit të gjithë specialistët e nevojshëm, që nga kirurgu, internisti (doktori i mushkërive), neurokirurgun, neuropsikiatrin, i është bërë ECHO, skaner të kokës, e shumë mjekime të tjera të nevojshme për përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore",-tha Vata. Gjithashtu, drejtori konfirmoi se asnjë nga familjarët e Dajtit nuk është lejuar ta takojë atë pa lejen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, shtoi se " personeli i Spitalit të Burgut ka pranuar dje nga njëri nga familjarët e Dritan Dajtit disa rroba të cilat ia kanë dërguar të arrestuarit. Ndërsa, për ushqime, nuk është lejuar futja e tyre për shkak se institucioni i burgut ka ushqimin e tij dhe nuk është lejuar futja e tyre",-tha Vata për "Shekullin".

Gjithashtu në mbarim të bisedës me drejtorin Vata, ky i fundit konfirmoi se "nuk mund të ndërhyjmë apo të ndryshojmë rregullore e sigurisë për shtetasin Dritan Dajti, kjo rregullore sigurie zbatohet për të gjithë njësoj",-tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet se Dajti mbahet i lidhur për krevati 24 orë. Ndalimi i ushqimit nga jashtë është një masë paraprake e marrë për të gjithë të paraburgosurit sepse ekziston mundësia e helmimit të tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›