Liqenasi, bukuria e harruar
KORÇË - Liqenasi, edhe pse një fshat me potenciale të mëdha turistike mbetet i harruar në investime. Kjo është qendra e Prespës në rrethin e Korçës që laget nga Liqeni i Prespës dhe që ndan edhe kufirin midis Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Këtu gërshetohet turizmi liqenor me atë malor dhe natyra me bukuritë e saj piktoreske, por që kjo zonë të shndërrohet në vend atraktiv për të ofruar turistë vendas dhe të huaj, kërkon më shumë vëmendje në drejtim të shtimit të investimeve veçanërisht për bregun liqenor. Banorët thonë se edhe pse është një fshat piktoresk, këtu përparësi ka bujqësia dhe blegtoria dhe jo turizmi.
Gjatë viteve të fundit është investuar në sistemin e ujërave të zeza, po asfaltohet edhe rruga që lidh qendrën e komunës me pikën kufitare të Goricës ndërsa vetë banorët janë munduar që të krijojnë godina për zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Ata kërkojnë mbështetje më të madhe në drejtim të përmirësimit të kushteve të bregut të liqenit për ta shfrytëzuar atë për zhvillimin e turizmit. Liqenasi që është një zonë që banohet nga komuniteti maqedonas dhe shtrihet në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Ka një popullsi prej rreth 4500 banorë dhe gjendet mbi 20 km larg qytetit të Korçës.