Vata: Më pëlqyen lojtarët e rinj

Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, i cili e pa në aksion ndeshjen miqësore Shqipëri-Poloni, pohoi për "Panorama Sport" se nuk kishte parë ndonjë ndryshim thelbësor nga ndeshjet e kaluara.
"Megjithatë është herët për të dalë në konkluzion", - citohet menaxheri i njohur i FIFA-s, nga gazeta në fjalë. "Më pëlqyen lojtarët e rinj. Mendoj se Hyka është një lojtar premtues, Salihi gjithashtu shfaqi personalitet në fushë, ndërsa Dallku mbetet një garanci për të ardhmen".