Vata: “O’Konor, transferta 5.4 milionë dollarë”

Rudi Vata, menaxheri shqiptar i FIFA-s është duke përfunduar njëkohësisht dy punë të mëdha: transferimin e ndërkombëtarit skocez Geri O'Konor nga Lokomotiva e Moskës te Birmingam Siti, ndërkohë që është në detajet e fundit edhe të transferimit të qendërmbrojtësit francez Gregory Arnolin të Maritimos në Portugali te Herta e Berlinit në Gjermani.
Sulmuesi i Kombëtares skoceze, Garry O'Connor, është shumë pranë kalimit te Birmingam Siti, që sapo është ngjitur në Premier Ligën angleze. O'Konor, 24-vjec, luan për Lokomotivën e Moskës në Ligën e Parë ruse pritet të kushtojë për arkat e klubit anglez një shumë prej 2.7 milionë stërlinash. "Oferta zyrtare nga Birmingam Siti është në zyrën time dhe parimisht kemi rënë dakord për transferimin, por ende nuk kemi rënë dakord për disa detaje që kanë të bëjnë me termat specifike për lojtarin që shoqërojnë zakonisht kontratat. Kontrata e propozuar nga bosi i Birmingamit, Stiv Brus është dy vjecare. Unë do ta konsideroja një arritje tjetër të madhe për një menaxher shqiptar, po të kihet parasysh se transferimi i tij nga Lokomotiva e Moskës te Birmingam Siti do të kushtojë 5.4 milionë dollarë. E mendoni vetë c'paraqet kjo shumë", tha në linjë telefonike nga Skocia, menaxheri shqiptar i FIFA-s, Rudi Vata. Për ndërkombëtarin skocez Geri O'Konor, i cili shënoi 58 gola në 168 ndeshje për ekipin e tij skocez Hibernian, pëpara se të transferohej në Rusi, dhe menaxherin Rudi Vatën ka dhe një tjetër mundësi. Sulmuesi 24-vjecar O' Konor u transferua në muajin shkurt 2007 nga Hibernian (Skoci) te Lokomotiva e Moskës (Rusi) për një shumë prej 1.6 milionë stërlina, por familja e lojtarit të ri dështoi në pëpjekjet e saj për tu vendosur në Rusi. Geri bëri gol në ndeshjen e Kupës së Rusisë në ndeshjen FK Moska-Lokomotiva, ku i realizoi golin e vetëm të takimit, shënoi në ndeshjen miqësore të Skocisë me Austrinë, ku shënoi golin e vetëm dhe u vlerat e tij para trajnerit Mekleish u përforcuan kur ai realizoi sërish një gol tjetër në fitoren thelbësore me Ishujt Faroe (2-0). Gjithsesi, edhe pse klubi moskovit, Lokomotiva deklaroi përmes faqes zyrtare kalimin e Geri O'Konor te Birmingam Siti ("Lokomotiva dëshiron të falendëroj Gerin për profesionalizmin e tij, punë e madhe në fushë dhe golin në finalen e Kupës së Rusisë" – shkruhej në komunikatë), Birmingam Siti nuk është opsioni i vetëm dhe përfundimtar.
"Kam marrë një telefonatë nga agjenti i merkatos i klubit të Mancester Sitit, që porsa është blerë nga ish-kryeministri tajlandez, miliaderi Thaksin Shinautra. Ata janë duke projektuar një ekip të madh dhe kontakuan me mua në lidhje me mundësinë e blerjes së O'Konorit", - shton Vata, për lojtarin që kërkohej edhe nga Fulhami, Evertoni e Portsmuthi. "Jemi në pritje të ofertës së tyre zyrtare që do të mbërrijë në zyrën time ditën e hënë, ndërsa përgjigjen përfundimtare se për kë fanelë do të luajë Geri do ta japim në fund të javës së ardhshme".
Menaxheri shqiptar Rudi Vata është duke përgatitur edhe një tjetër transferim të bujshëm ditët e ardhshme. Bëhet fjalë qendërmbrojtësin francez, 25 vjecari Gregori Arnolin, që luan me CS Maritimo në ligën e parë portugeze. "Lojtari është në Berlin dhe brenda së enjtes së ardhshme shpresojmë të mbyllim marrëveshjen. Arnolin (187 cm) është një mbrojtës shumë i fuqishëm dhe ka bërë përshtypje të madhe përgjatë kampionatit portugez që përfundoi", - thotë Vata për futbollistin francez.
Rudi Vata është aktiv merkaton verore dhe një numër lëvizjesh të tjera, sipas tij, janë duke u përgatitur, duke mos e neglizhuar edhe një listë të përzgjedhur nga futbollistët elitarë shqiptarë.