E Diel, 1 Nëntor 2026

Stadiumi “Qemal Stafa” nuk furnizohet me uje, rrezikohet Holanda,

Stadiumi "Qemal Stafa" ka katër ditë që nuk furnizohet me ujë dhe pjesë pjesë ka filluar të thahet. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë rrezikohet zhvillimi i ndeshjeve në këtë stadium, pasi duhet ndërruar sërish bari në fushë. Alarmin e jep vetë drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, i cili shprehet se po të vazhdojë e njëjta gjendje, atëherë do të shkojë dëm një investim prej 150 milionë lekësh. "Ka katër ditë që nuk furnizohemi me ujë, duke mos ujitur kështu tapetin e fushës, i cili ka filluar të thahet", - tha Dhales për gazetën "Standard" duke shtuar "si konsumator i rregullt që jam, kërkoj që të marr atë që më takon". Gjendja në stadium është tepër serioze. Në disa pjesë tapeti ka filluar të thahet, duke e rënduar edhe më gjendjen. Nëse vazhdohet kështu, atëherë do të duhet që të shtrohet një tapet i ri. Por edhe pse duhen vetëm dy ditë për ta bërë një gjë të tillë. kostoja është tepër e madhe. "Të shtrosh një tapet të ri kushton rreth 70 milionë leke. Unë e kam të vështirë që të gjej një shumë të tillë, sidomos gjatë kësaj periudhe", - tha Dhales duke shtuar se "po u dëmtua tapeti, rrezikohet që të mos luhet as përballja me Holandën më 12 shator, përvec miqësores". Sipas drejtorit të "Qemal Stafës", ka një marrëveshje me FSHF për zhvillimin e miqësores dhe sfidës së shtatorit në këtë stadium. Dhales shprehet se ai është detyruar që ta marrë ujin me bote për të ujitur, por një gjë e tillë nuk ka qenë shumë efektive, kjo pasi realizohet pjesë-pjesë ujitja. "Gjatë këtyre katër ditëve jam detyruar që ta transportoj ujin vetë me anë të boteve, por kjo mënyrë e dëmton fushën, pasi realizohet pjesë-pjesë. Është e rëndësishme që fusha të ujitet pasi ajo thahet", - shtoi drejtori i stadiumit.
Përgjegjësi
Sipas tij përgjegjësi i vetëm për të gjithë këtë është kryetari i degës së shpërndarjes së ujit në Tiranë. "Personi që është përgjegjës për të gjithë këtë, është Kujtim Allaraj, kryetar i degës së shpërndarjes. Nuk e di pse ai ka vepruar në këtë mënyrë, mbase kërkon që të marrë para, se ashtu është mësuar, por unë nuk e bëj një gjë të tillë", - ka vazhduar Dhales. Edhe pse ka pasur disa kontakte me të, përsëri gjendja ka vazhduar të jetë njësoj. "Kam kontaktuar disa herë me të, por ai vazhdon që të më gënjejë. Justifikimi i tij është se nuk ka presion. Pastaj më ka thënë se do ta hapim, dhe sa herë kontaktoja më thoshte që të prisja edhe një orë", - shtoi drejtori i "Qemal Stafës". Unë kam takuar edhe drejtorin e ujësjellësit, i cili u tregua i gatshëm që t'i jepte zgjidhje këtij problemi, por kryetari i degës së shpërndarjes së ujit në Tiranë, ka thyer urdhrat e eprorit të tij. "Kam kontaktuar edhe me drejtorin e ujësjellësit, i cili më ka pritur më së miri, madje në prezencën time ka urdhëruar që të rifillonte shpërndarja e ujit", - tha Dhales, duke theksuar se "por Kujtim Allaraj ka thyer urdhrin e drejtorit, duke vazhduar të mos më furnizojë më ujë. Jo se s'ka ujë, ujë ka, por është ndërprerë nga ky person". Dhales shton se ky është thjesht një justifikim, pasi ai në pallatet që janë afër stadiumit shkon uji deri në katin e 13-të. "Për më tepër që edhe nga Drejtoria e Ujësjellësit ka ardhur edhe një kontrollor, i cili pas verifikimit më tha që ujë ka, por nuk vjen pasi është ndërprerë", - tha Dhales, duke shtuar se "këto janë qëllime keqdashëse të këtij personi, i cili do të mbajë përgjegjësi morale dhe materiale për këtë problem".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›