Vata, mes Arminias e Koblenz

Mustafa Tola
- Futbollisti Fatmir Vata, përmes mediave gjermane, ka bërë të ditur se ekipi ardhshëm i tij mund të jetë TuS Koblenz. Shqiptari, duke folur për gazetën e njohur gjermane "Bild am Sonntag" dhe mediat e tjera gjermane, ka ironizuar trajnerin e Arminias, Ernst Middendrop, duke u shprehur: "Trajneri tregoi për herë të parë karakter duke më futur në lojë. Unë nuk dua t'i bëhem barrë Arminias, sepse asaj nuk i nevojitet një shikues i shtrenjtë". Po për këtë gazetë Middendrop u shpreh: "Me 90 për qind Vata do përfundojë kontratën deri në qershor 2008". Mesfushori i avancuar mund të transferohet te TuS Koblenz, ekipi që javën e kaluar mbijetoi në Bundesligën 2, falë Uve Rapolder, tranjeri që e solli Vatën në Gjermani tek Mannheim dhe ka një raport shumë të mirë me Vatën. Fatmir për "Bild am Sonntag" u shpreh: "Të gjithë e dinë se nën drejtimin e tij kam treguar futbollin më të mirë dhe kam një kontakt shumë të mirë me të". Ndoshta në "Arena Auf Schalke" do jetë ndeshja e fundit për Vatën te Arminia, gjithmonë nëse Middendrop do ta vendosë atë në formacionin e Bielefeldit. Pas 128 ndeshjeve zyrtare dhe 19 gola për Arminian, mund të ndodhë që Vata të kalojë në qytetin e "Deutsche Ecke", Koblenzin, duke përjashtuar mundësinë e rikthimit në Shqipëri, tek klubi shqiptar që paguan më së miri, SK Tirana. Megjithatë, Vata nuk dëshiron të marrë epitetin i dështuar, sic quhen disa nga lojtarët që nuk ia dolën në ligat e shteteve të tjera dhe u rikthyen tek SK Tirana.
Fatmir Vata, si ekip të mundshëm në Shqipëri cilëson vetëm ekipin e Dinamos, aty ku dhe e filloi karrierën e tij profesioniste. Por vetëm pas qershorit 2008.